Volodymyr Zelensky

Bota

Trump zhbllokon armët, por Kievi mbetet i kujdesshëm! Frikë se presidenti amerikan po i jep Putinit më shumë kohë

15 Korrik, 07:05| Përditesimi: 15 Korrik, 09:01

  • Share

Është mbrëmje kur në Kiev bie zilja e telefonit të Volodymyr Zelensky. Pasi kishte lëshuar “surprizën” e premtuar për Rusinë, Trump vendos ta telefonojë drejtpërdrejt: “Diskutuam për mjete dhe zgjidhje — rrëfen presidenti ukrainas — për të garantuar më shumë mbrojtje për popullsinë nga sulmet ruse dhe për të forcuar pozicionet tona. Jemi gati të punojmë në mënyrën më produktive për paqen. Ramë dakord të flasim më shpesh”. Një tjetër telefonatë, këtë herë nga Sekretari i NATO-s, Mark Rutte: “Vlerësojmë gatishmërinë për të ofruar më shumë sisteme Patriot dhe do të ketë edhe armë të tjera për të na mbrojtur dhe për të zmbrapsur rusët. Faleminderit, Mark”.

Por reagimi i parë i Kievit ndaj njoftimit të presidentit Trump ishte shumë më i fshehtë. As entuziazëm, as kritika. Vetëm një vizatim me dy sy të hapur të postuar në rrjetet sociale — një emoji i publikuar mbi një orë më vonë nga kreu i Zyrës Presidenciale, Andriy Yermak, një figurë kyçe e pushtetit ukrainas që po rifuqizohet përmes një riformatimi masiv: pikërisht dje, Zelensky konfirmoi se do t’i propozojë Radës emërimin si kryeministre të ministres së Ekonomisë, Yulia Sviridenko, në vend të Denys Shmygal, i cili do të kalojë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes duke zëvendësuar Rustem Umerov, që pritet të emërohet ambasador në SHBA. Ky “karusel” politik, që forcon pozitat e Zelensky-t dhe Yermak-ut, nuk do të përfundojë me kaq.

Më shumë sesa të festojnë një kthesë të mbushur me të panjohura, ata sy të hapur në rrjete — “e patë?”, “e kuptuat mirë?” — theksojnë punën e një ekipi që ka rregulluar një përçarje me Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht armiqësisë që Trump vazhdonte të tregonte ndaj Zelensky-t. Presidenti ukrainas, përkundrazi, pret orë të tëra përpara se të shprehet me fjalë të kujdesshme: "Jam mirënjohës presidentit Trump për gatishmërinë e tij për të mbështetur mbrojtjen e jetës së popullit tonë".

Pasdite takoi të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Keith Kellogg, i cili i kishte paraprirë lajmeve që po vinin, dhe që u përshëndetën me një falënderim për Trump "për sinjalet e rëndësishme të mbështetjes dhe vendimet pozitive". Më pas, përpara se të fliste me Trump-in, Zelensky rikthehet te thelbësorja: "Paqja është e mundur vetëm me forcë. Për këtë kemi biseduar me presidentin Trump, me përfaqësuesit e Kongresit: ekipet tona po punojnë për të na siguruar forcat dhe mjetet që na duhen. Armët amerikane, dhe sanksionet amerikane kundër Rusisë. Jam mirënjohës ndaj ekipit tonë, ndaj SHBA-ve, Gjermanisë dhe Norvegjisë për përgatitjen e një zgjidhjeje të re me sistemet Patriot për Ukrainën. Po punojmë edhe për marrëveshje të rëndësishme mbrojtjeje me SHBA: mund të bëjmë shumë, së bashku, për sigurinë".

Por në rrjetet sociale, ukrainasit nuk tregojnë aq shumë kënaqësi për Patriot-ët që do të vijnë, sesa zhgënjim për shpresat e dështuara. Edhe analistët janë të një mendjeje: "Qeveria — thotë Ruslan Bortnik, drejtor i Institutit të Politikës në Ukrainë — pretendon një fitore për ndryshimin e qëndrimit të Trump-it. Natyrisht që për Ukrainën nuk ka rëndësi nëse do të paguajnë taksapaguesit amerikanë apo ata evropianë, por ajo që nënkuptojnë këto vendime është se SHBA nuk do ta ndihmojë më ushtarakisht Ukrainën: do të kufizohen vetëm në shitje armësh. Roli dhe shpenzimet e Evropës po rriten, por a do të mund të përballojë ajo mungesën afatgjatë të SHBA-së?".

Edhe më kontrovers është ultimatum i 50 ditëve, pa sanksione të menjëhershme: "Është një periudhë shumë e gjatë, duke qenë se ukrainasit po vriten çdo ditë", thotë Përfaqësuesja e Lartë e BE, Kaja Kallas. Mariana Bezugla, deputete e shumicës që mbështet Zelensky-n dhe shumë pranë Yermak-ut, është e ashpër: "Ja çfarë do të thotë ky “lojë”: Trump i ka dhënë Putinit edhe 50 ditë të tjera për të pushtuar Ukrainën. Kartë e bardhë. Dnipro apo Kramatorsk, janë shumë tërheqëse".

Axios ka zbuluar se më 3 korrik, Putin e kishte zemëruar Trump-in duke i njoftuar se gjatë 60 ditëve në vijim do të përpiqej të pushtonte plotësisht rajonet e pushtuara pjesërisht. Ultimatumi për sanksionet do të skadojë pikërisht në fund të atyre 60 ditëve. Në grupet e Telegram-it ukrainas dhe në komentet e mediave po mbizotëron dëshpërimi: "Pas muajsh të tërë negociatash pa përfundim, Trump u ka dhënë terroristëve edhe dy muaj të tjerë për vrasje masive"./La Repubblica

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?