TIRANË- Më shumë se 130 armë zjarri u kapën nga policia vetëm për 45 ditë. Shumë nga to iu gjetën individëve në brez. Rasti më bujshëm ishte ai 30 gushtit në Durrës. Tre persona me tre pistoleta dhe një mitraloz u kapin në një aksion e sipër krimi.
Për ekspertët, përmes kategorizimit të armës në treg profilizohen edhe grupet kriminale, përkatësia dhe fuqia e tyre në tregun kriminal
“Nëse kemi armë brezi, këto janë armë që i mbajnë të gjithë këta elementë dhe kontigjentë kriminal. Nëse kemi armë që nga viti 1997, të përdorimit të brendshëm, gulinovë, kallashnikovë e më gjerë, duhet thënë që janë të organizime të grupe kriminale me profil më të ulët. Ndërsa armët e tjera më të sofistikuara, të cilat janë kapur ndër vite në zonën e Elbasanit dhe Peqinit, ato janë armë që u përkasin grupeve me goxha profil të lartë kriminal dhe aty duhet përqendrim të organeve ligj-zbatuese”, thotë eksperti Ervin Karamuça.
Por çfarë thonë ekspertët për shifrat e larta të armëve të sofistikuara, brenda territorit tonë?
“Kemi të bëjmë me krim trans-nacional. Pra, nëse kemi armë të sofistikuara, këta dërgojnë mall dhe në këmbim të kësaj nuk marrin para por marrin armë të sofistikuara, që shkojnë 30, 40 deri në 100 mijë euro, snajper ose armë të tjera të kalibrit të lehtë, të mesëm ose të rëndë”, shton Karamuça.
Për nga fuqia financiare e grupeve kriminale, Karamuça nuk habitet që në Shqipëri mund të sjellin edhe raketa
“Të gjesh snajperë të kalibrit të mesëm, shumë të sofistikuar që i përdorë sot vetëm forcat RENEA, do të thotë që këto grupe kriminale kanë të ardhura vjetore jashtëzakonisht të mëdha. Një prej grupeve shqiptare u llogarit se kishte rreth 200 milionë euro të ardhura në vit. Duke pasur këto të ardhura, ne mund të presim edhe raketa, larg qoftë, në Shqipëri”, vijon më tej eksperti.
Një nga pikat më të forta të krimit, është edhe ajo e lidhjes më policinë, prej dhe ku përvetësojnë informacionin.
“Kufijtë e integruar nuk janë në atë nivel që duhet të jenë. Po ashtu, kemi edhe rrjedhje të informacionit brenda organeve ligj-zbatuese që informon organizatat kriminale dhe shpesh janë gjetur dhe janë bastisur shtëpi, por nuk janë gjetur armët e kërkuara”, përfundon Karamuça.
Armët e zjarrit nuk i disponojnë vetëm grupet kriminale. Një pjesë e ngjarjeve për motive të dobëta kryhen me armë pa leje. Armë pa leje mbajnë edhe personazhe të njohura, siç ishte rasti këngëtares Fjolla Morina, e cila u arrestua në Pikën Kufitare të Morinës, bashkë me një pistoletë në makinë.