Në Luftën e II Botërore, partizanët komunistë shqiptarë, i shikonin vendet perëndimorë, përfshirë edhe SHBA si vend mik, në një llogore në përballjen me nazi-fashistët, por më vonë kjo ndryshoi rrënjësisht. Pasi morën pushtetin, SHBA në krye të të gjithë botës perëndimore u shndërruan në atë që për gati 50 vite me radhë u quajtën ‘armiq të jashtëm’.
Ndër vite, këtij cilësimi nuk i shpëtuan as miq si Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik apo Kina, një proces që solli vetë-izolimin total të vendit.
Pikërisht për të sjellë këtë ‘luftë’ prej 5 dekadash me gjithë botën të një prej vendeve më të vegjël e të varfër të botës, vjen ekspozita “Armiku i Jashtëm” e kuruar nga shkrimtari Bashkim Shehu, që e përjetoi në vetë të parë si djali i ish kryeministrit komunist Mehmet Shehut.
"Së pari doja t’i referohesha një eseje të Umberto Eco-s, që titullohet ‘Fashizmi i përjetshëm’. Aty Umberto Eco ndër të tjera thotë, që fashizmi nuk është thjesht Partia Fashiste Italiane dhe anëtarësia në këtë parti. Është një koncept më i gjerë, një mënyrë e caktuar e të menduarit dhe e të ndjerit. Po kështu mund të themi që edhe komunizii është një mënyrë e caktuar të menduarit, një ndjeshmëri e caktuar dhe mbivendoset, ndërthuret me fashizmin, ka gjëra të përbashkëta, çka përbën mendësinë totalitare. Kur flasim për komunizmin nuk është se flasim thjesht për të djeshmen, për të kaluarën sepse mentaliteti dhe mënyra e të ndjerit të gjërave vazhdon të ekzistojë.", - vëren Bashkim Shehu.
E mbështetur mbi karikaturat e revistës politiko-humoristike “Hosteni” përgjatë viteve 1945-1990, ekspozita paraqet përfytyrimet zyrtare të armikut të jashtëm.
“Kjo është e fokusuar në një nga dy shtyllat e totalitarizmit shqiptar. Njëra është njeriu i ri dhe tjetra është vetë-izolimi total i vendit. Këtu merrem me anën tjetër, me dimensionin tjetër të regjimit totalitar në Shqipëri: me vetë-izolimin e vendit, i cili ishte në funksion të kontrollit total. Kjo ishte arsyeja e marrëzishme e vetë-izolimit të vendit.”, - thotë Shehu.
Në një kohë kur në Shqipëri nuk lejohej asgjë nga jashtë, këto karikatura që satirizojnë “armikun e jashtëm”, më tepër sesa për vendet e tjera dhe regjimet e tjera, sipas Shehut, dashur pa dashur flasin për regjimin shqiptar të kohës. Në atë periudhë, kjo luftë ndaj armikut të jashtëm u shtri kudo, deri edhe në muzikë, diçka që shkrimtari Bashkim Shehu e ka rrëfyer edhe në librin e tij “Mozart, me vonesë”.
“Është një ngjarje tërësisht e vërtetë edhe pse atëherë i ri, duke dëgjuar kujtimet e nenës së tij ka përshkuar historikun e periudhës kur në Shqipëri u ndaluan të gjitha veprat klasike. Në këtë moment te ne u shpërnda kjo periudhë si ikonoklasti në periudhën e artit figurativ, u ndaluan, kritkuan, anatemuan të gjitha veprat. Kjo koiçidoi me një moment të rëndësishëm në Teatrin e Operës që ishte përgatitur vepra ‘Dasma e Figaros’ nga regjisorja Jorgjie Truja, që bashkë me një shfaqje baleti, ‘Valset e Shtrausit’ nga Skënder Selimi. Në atë kohë u anatemua edhe një valle, ‘Idili kurbat’ e Panajot Kanaçit.”, - kujton muzikanti Zhani Ciko.
Ndërsa koleksionisti i veprave të artit, Përparim Kalo sjell në vëmendje kur në vitin 1972 u njoh me kariktaturistët Agim Pojani e Agim Sulaj, ndërsa revista “Hosteni” u bë një dritare për të komunikuar me botën e jashtme, ndërsa kultivoi artistë që na bëjnë të njohur ndërkombëtarisht edhe sot.
“Ky kontakt më dha kënaqësi të veçantë se nëpërmjet revistës shikonim foto të këngëtarëve të huaj. Mbaj mend që në një kopertinë të pjesës së mbrapme të ‘Hosteni’-t ishte vënë një fotografi e Mick Jagger që kishte vënë tre gishta mbi kokë me mikrofon.”, - thotë Kalo.
Për shkrimtarin Bashkim Shehu, kjo ekspozitë merr një vlerë të shtuar në kohën e sotme, pasi në epokën e artit vizual, ku ndodhemi tani, libri dhe fjala e shkruar po humbet rëndësi gjithnjë e më tepër.
“Karikatura është pjesë e artit vizual, por këto e marrin kuptimin e plotë edhe në sajë të diçiturave ndaj është mirë që këto diçitura të lexohen.”
Ekspozita “Armiku i jashtëm” do të qëndrojë e çelur në COD deri në 23 gusht.
Komente
