Aromë libri në periferi të Tiranës me “Tetorin e Letërsisë”, Flutura Açka dhe Enkelejd Lamaj rrëfehen përballë të rinjve të Kamzës

7 Tetor 2022, 17:52| Përditesimi: 7 Tetor 2022, 18:10

  • Share

Këtë të premte udhëtojmë në veriperëndim të Tiranës... Aty ku erërat e ngjarjeve mbi librin rrahin më pak Kamzën, një shkrimtar rreket prej pak kohësh të kthejë pllakën. Në Pallatin e Kulturës të qytetit, ku është përgjegjës i Bibliotekës, Liridon Mulaj mbledh Klubin Letrar të të Rinjve që ka krijuar...

Nismën e tij, “Tetorin e Letërsisë” e çel  me ftesën e hapur dy shkrimtarëve, Flutura Açkës e Enkelejd Lamajt, për të diskutuar mbi Letërsinë: si trill a dëshmi.

“Kjo është Kamza e vërtetë, Kamza njerëzore! Kamza e pa bujë! Dhe impresioni im i parë tek gjendem mes jush është: Rini! Gjëja me e mirë, sepse në fund të fundit, mua dhe Enkelejdin, kush do të na lexojë?!”, shprehet shkrimtarja Flutura Açka.

Mbi tavolinë tirret historia, nga libri në libër. Poezitë e para të Açkës, dëshira e kahershme rinore për të shkruar diçka që të mrekullonte nënën e saj, e skica e Shyqyri Nimanit si paradhomë e një historie që lajmëronte ardhjen e një poeteshe të re  në letërsinë shqipe tri dekada më herët mbajnë të mbërthyer të rinjtë.

“Kur botova librin tim të parë me poezi, isha shumë e re. Ishte vjeshta e vitit ’93 dhe mamaja ime që ishte mësuar të më shihte gjithë kohën duke lexuar u trondit. Dhe tha: Gjithë kohën duke lexuar dhe ti më del me këtë fletore 50 faqe. Në fakt aty brenda, përpos shqetësimit të prindit ishte edhe motivimi. Do të thotë ajo donte prej meje diçka më shumë dhe kjo batutë e mamasë sime ka mbetur në subkoshiencën time, duke menduar se kur do të vijë ajo ditë që unë ta gëzojë mamanë time, që ajo më në fund të jetë e lumtur. Dhe ky është një motivim shumë i mirë në jetë, për të bërë dikë të lumtur”, shprehet më tej shkrimtarja.

Ngacmimi i kinematografisë, për të shkruar libra të zhanrit thriller, e përhitja e personazheve mes errësirës,  e vendos shkrimtarin Lamaj, mes pyetjeve të të rinjve për personazhet e tij, ndoshta të një bote paralele.

“Filmat, kinematografia që ne shikonim në kanalet e huaja prej viteve ’90 kanë ndikuar. Kam ndjekur me satelit kanale si “Italia uno”. Sa mbaronte filmi unë shkoja në dhomën time e shkruaja një vazhdim, ç ’mund të të kishte ndodhur nëse filmi merrte tjetër rrjedhë. Dhe mbas shumë vitesh kur  shkova në Itali, prindërit e mi gjejnë këto fletore dhe njëherë që vij, pasi kisha njohur dhe letërsinë e frikshme në Itali, mendova pse jo mos ta provoj ta shkruaj”, thotë shkrimtari i zhanrit ‘thriller’, Enkelejd Lamaj.

Më i pëlqyeri libër për të dy shkrimtarët mbetet ai që janë duke shkruar... “Errësirat e nëntorit” e Lamajt kërkon pak pritje e një zemër të fortë, ndërsa Açka rrëfen se është duke shkruar një roman historik, ku lexuesi do të ketë ç’të zbulojë mbi pikat e takimit të dy vendeve fort të shtrenjta për të, Shqipërisë e Holandës.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?