Bota

Arratisja e bosit turk me 2 mld dollarë në Tiranë, mediat bëjnë publike vendet ku ai u strehua

3 Maj 2021, 11:33| Përditesimi: 3 Maj 2021, 12:07

  • Share

Arratisja e biznesmenit turk në Shqipëri Faruk Fatih Özer, ka rrëmbyer vëmendjen e mediave turke.  Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia në drejtim të Shqipërisë duke u ulur në Rinas në 20 Prill, ku u prit nga një çift shqiptarësh.

 “EnSonHaber” shkruan se fill pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në hotel Mondial pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre netë, por doli prej andej natën e dytë, pa bërë as check out dhe më pas është fshehur në shtëpinë e shoferit që e mori në aeroport pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë.

Çiftin shqiptar ai e kishte takuar një muaj më parë në Stamboll, ku ata kishin qëndruar në shtëpinë e tij, edhe pse nuk ka asnjë detaj për lidhjen mes tyre. 

“EnSonHaber” raporton duke ui referuar burimeve nga policia turke se Faruk Fatih Özer nuk ndenji shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet duke u transferuar në një tjetër zonë, pikërisht në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet. Por nuk ishte e thënë për turkun e famshëm pasi edhe ky vend ku ai fshihej u zbulua nga policia duke bërë që të transferohet së fundmi në zonën e “21 Dhjetorit” ku edhe ka humbur gjurmë

Mediat turke raportojnë se ai dyshohet se fshihet ende në Shqipëri, pavarësisht deklaratave të disa mediave javën e kaluar se ai mund të ishte kapur në Kosovë.

Policia sipas mediave turke ka blinduar edhe Fierin e Vlorën pasi dyshohet se Faruk Fatih Özer mund të arratiset me skaf për në Itali.

Në momentin që “Thodex” shpalli falimentimin u deklarua se ai I shkaktoi një dëm prej 2 miliard dollarësh rreth 391 mijë investitorëve, por pas deklaratës së ministrit të brendshëm u zbulua se ai ka me vete një vlerë prej 108 milion dollarësh në kriptomonedhë, të cilat mund t’i këmbejë në para përmes grupeve kriminale.

Edhe pse arratia e tij në Shqipëri është një ndër temat kryesore aktualisht në Turqi, policia shqiptare nuk ka bërë deri më tani asnjë deklaratë mbi ecurinë e kërkimeve për Faruk Fatih Özer.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?