LEZHË- Arratisja e 49-vjeçarit Daut Laze nga burgu i Shënkollit në Lezhë, ka çuar në pranga tre punonjës të këtij institucioni. Burime bëjnë me dije se në përfundim të veprimeve të kryera dhe analizimit të situatës, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar punonjësit Gjin Ndoka, punonjës shërbimi në kupole, Mark Nikolli punonjës ne sektor (grup sigurie) dhe Zhaneta Mella (operatore kamerash). Kjo e fundit është shtruar në spitalin rajonal të Lezhës, pasi pas ndalimit ka shfaqur probleme shëndetësore.
Policia ende nuk ka një komunikim zyrtar, por burimet thonë se ndaj tyre është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi në momentin e arratisjes së Daut Lazes kanë qenë në shërbim dhe nuk kanë përmbushur detyrat e përcaktuara me ligj.
Kërkimet për gjetjen e 49-vjeçarit janë përqëndruar në Lezhë, Tiranë dhe Çorovodë. 49-vjeçari ishte praktikant i fesë islame dhe kishte kërkuar të qëndronte vetëm në dhome, por nuk i është mundësuar.
Daut Laze vuante dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë, të shndërruar prej më shumë se 2 vitesh, në strehën e përkohshme të të burgosurve me probleme të shëndetit mendor. Mbrëmjen e 3 shkurtit 49-vjeçari nga Çorovoda, ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve në spitalin e burgut. I dënuari me mjekim të detyruar, ka mundur të largohet nga rrethimi i institucionit të posaçëm mjekësor brenda burgut, duke kapërcyer murin. Mungesa e tij në dhomë u vu re vetëm në orët e para të mëngjesit të 4 shkurtit gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit.
49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore, ndaj blutë ofruan shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në zbulimin e vendit ku Daut Laze po fshihet, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.