LEZHË- Ende nuk ka asnjë gjurmë nga i dënuari Daut Laze, i cili u arratis nga burgu i Shënkollit. Për këtë ngjarje, janë arrestuar 3 punonjës të burgut të Shkënkollit, bëjnë me dije burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com.
Sipas burimeve, në përfundim të veprimeve të kryera dhe analizimit të situatës, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar tre punonjësit Pjetër Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Medha. Kjo e fundit është shtruar në spital, pasi pas ndalimit ka shfaqur probleme shëndetësore.
Policia ende nuk ka një komunikim zyrtar, por burimet thonë se ndaj tyre është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi në momentin e arratisjes së Daut Lazes kanë qenë në shërbim dhe nuk kanë përmbushur detyrat e përcaktuara me ligj.
Daut Laze vuante dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë, të shndërruar prej më shumë se 2 vitesh, në strehën e përkohshme të të burgosurve me probleme të shëndetit mendor. Mbrëmjen e 3 shkurtit 49-vjeçari nga Çorovoda, ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve në spitalin e burgut. I dënuari me mjekim të detyruar, ka mundur të largohet nga rrethimi i institucionit të posaçëm mjekësor brenda burgut, duke kapërcyer murin. Mungesa e tij në dhomë u vu re vetëm në orët e para të mëngjesit të 4 shkurtit gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit.
49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore, ndaj blutë ofruan shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në zbulimin e vendit ku Daut Laze po fshihet, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)