Kryeministri Edi Rama në një konferencë për gazetarët tha se duhet të ndahen çështjet bilatarele me ato të unionit, duke ju referuar kërcënimeve të Greqisë për procesin e integrimit në lidhje me arrestimin e Fredi Beleri. Kryeministri Rama tha se çështjet bilatarale ndërmjet dy vendeve nuk duhet të bëhen pengesë për integrimin.
'Më tej kam prekur sigurisht çështjen e marrëdhënies strategjike të Shqipërisë me BE-në, si një marrëdhënie që bazohet tek një religjion i përbashkët që është Evropa, i të gjithë shqiptarëve, si një amanet i vjetër i atyre që na lanë porosi që të mos harrojmë asnjëherë se për ne dielli lind andej nga perëndon, si një mision dhe si një borxh historik ndaj gjeneratave të tjera dhe patjetër edhe si një fuqi e shtuar për të punuar dhe për të përballur me durim çdo vështirësi e për të kapërcye çdo pengesë të çfarëdo natyre.
Sigurisht që është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh në fakt, krijojnë eksportime e mosmarrëveshjeve bilaterale mes një vendi dhe një tjetri në tryezën e BE-së, për hir të së vërtetës ka një sensibilizim shumë të lartë, sidomos nga shtetet më me eksperiencë, më me jetëgjatësi në familjen e bashkuar evropiane, lidhur me pikërisht faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e Këshillit Evropian krijojnë pengesa të paarsyeshme sepse çështjet bilaterale janë çështje që duhet të zgjidhen midis dy vendeve dhe aq më tepër është e pakuptueshme dhe është e paarsyeshme që në një proces integrimi, ku një vend hyn në negociata që do të thotë, hyn në një fazë përfundimtare të shtetbërjes evropiane, duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet, të vonohet sepse ka një çështje bilaterale.
Mbase do të ishte më e kuptueshme, mbase, që kur vjen momenti që vendi i ka përfunduar të gjitha dhe është vetëm vota për t’u anëtarësuar, atëherë cilido mund të thotë që “jo, unë s’jam dakord’’ por kjo pengesë është në një farë mënyrë e paarsyeshme. Jo vetëm e paarsyeshme, por edhe jo evropiane në frymë dhe natyrisht rastet dhe historitë kanë qenë jo një e dy, por më shumë se sa një e dy, dhe nuk është rastësi, dhe këtë e kam thënë që të gjitha ato raste vijnë nga zona e Ballkanit.
Dhe nëse nuk do të gjendet një rrugë për të ndarë njëherë ë mire çështjet bilaterale nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshira nëpër këtë proces në rajonin tonë, mund ta parashikojmë pa vështirësi se sa probleme të tjera mund të nxjerrin rrugës mes njëra-tjetrës, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, për çështje të natyrës krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE.
Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh edhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur, por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh, që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa në takon si Shqipëri, ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë, e cila është një partner strategjik i Shqipërisë, e cila është një vend fqinj me të cilin ne duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë, të thellojmë bashkëpunim dhe patjetër të forcojmë miqësinë, duke bërë gjithçka që na takon ne dhe ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan, jo një shtet ballkanik në BE.
Shqipëria duhet, mund dhe me punën tonë të përbashkët do të bëhet Evropa e Ballkanit. I ka të gjitha ato që i duhen për t’u bërë Evropa e Ballkanit dhe transformimi i brendshëm i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Ndryshimi i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, vend i një rrumpalle ballkanike, në një vend që funksionon si një shtet anëtar i BE-së, është po aq i rëndësishëm dhe mbase më i rëndësishëm se sa vetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Për këtë arsye këto janë të lidhura pazgjidhshmërisht bashkë dhe për këtë arsye pozicioni ynë është ky. Ka pasur një keqkuptim që është i mrëkuptueshëm sepse lidhet me natyrën teknike të funksionimit të procesit. Këshilli Evropian nuk merr vendim lidhur me këtë, Këshilli Evropian ngarkon konferencën apo mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare që në ditët e ardhshme të procedojnë nga pikëpamja formale, teknike, lidhur me të gjitha vendet, lidhur në raportin e progresit, bazuar në edhe në indikacionet patjetër të Këshillit Evropian dhe të çdo vendi që përfaqësohet nga ambasadorët e vet.
Pra unë mbetem optimist që ky ngërç për të cilin nuk dua të zgjatem se kam folur shumë do të kapërcehet, por mbetem po i të njëjtës bindje se kapërcehet apo s’kapërcehet ky ngërç, Shqipëria praktikisht nuk vonohet asnjë ditë, jo muaj e vite sepse ndërkohë ne do të vazhdojmë dhe do të bëjmë detyrat tona dhe për më tepër kemi tani në dorë një instrument të jashtëzakonshëm, modelin tonë inovativ të inteligjencës artificiale, të cilin ia kam shpërndarë të gjithë miqve të familjes europiane, bashkë me një urim nga Shqipëria dhe nga shqiptarët. Dhe ne do të jemi gati për BE shumë më shpejt sesa BE të jetë gati për ne.'- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama pas samitit në Bruksel: Çështjen me Greqinë duhet ta zgjidhim mes nesh! Inceneratori i Tiranës? Nuk jam llogaritar, jam kryeministër
M.Q./ReportTv.al