Kosova & Rajoni

Arrestimi i 2 vrasësve shqiptarë me pagesë në Greqi, policia me deklaratë: Sekuestruam armë, drogë, silenciatorë dhe rreth 80 mijë euro (VIDEO+DETAJET)

28 Janar, 12:58| Përditesimi: 28 Janar, 13:38

  • Share

GREQI- Policia greke ka dalë zyrtarisht në deklaratë për shtyp sot (28 Janar) pas arrestimit të 2 shqiptarëve të dyshuar si vrasës me pagesë dhe autorë të vrasjes së 47-vjeçarit Irakli Davella dhe plagosjes së 46-vjecarit Edi Lulo, alias Etmond Hysa, në 15 dhjetor 2024, në Thermomakedones të Athinës.

Zyrtarisht policia greke ka pranuar se në ngjarjen e rëndë mbeti i plagosur edhe një shtetas i tretë, po shqiptar.

Sipas policisë, operacioni i djeshëm është zhvilluar në “Peristeri” dhe “Nea Smyrni” të Athinës, duke çuar në arrestimin e shtetasve Jenis Tulja, 44 vjeç, nga Tirana dhe Mirjan Guveli, 45 vjeç, nga Saranda. Ata akuzohen për veprat penale “organizatë kriminale”, “vrasje”, “armëmbajtje pa leje”, “falsifikim” dhe “mbajtje lëndësh narkotike”.

Sipas policisë, mesditën e së dielës 15 dhjetor 2024, të dyshuarit u janë afruar 3 persona të cilët kanë qenë në këmbë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre, me pasojë vdekjen e 47-vjeçari Irakli Davella nga fshati Mesopotam i Finiqit dhe plagosjen e 2 të tjerëve, njëri i identifikuar si 46-vjecari Edi Lulo alias Etmond Hysa nga Puka, ndërsa më pas me një automjet janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga mbledhja dhe vlerësimi i mëvonshëm i informacionit dhe nga i gjithë materiali parahetimor i grumbulluar, u gjet mjeti i përdorur gjatë ngjarjes, i parkuar në zonën e “Nea Smyrni”.

Siç ka rezultuar, të dyshuarit kanë përdorur gjithsej 4 mjete për kryerjen e krimit, duke lëvizur në mënyrë zinxhir nga njëri në tjetrin, për të shmangur identifikimin dhe zbulimin.

Për të shmangur zbulimin, autorët i kanë ndryshuar targat e automjetit që përdornin për t'iu afruar viktimave, e kanë parkuar vazhdimisht në vende të ndryshme dhe i janë afruar rregullisht për qëllime vëzhgimi, duke mbajtur një profil të ulët, duke mos treguar identitetin e tyre real në kontratën e qirasë.

Nga kontrollet e kryera në banesat e tyre gjatë arrestimit, janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri “Kallashnikov”, 1 armë zjarri “Scorpions”,  2 jelekë antiplumb, 118 fishekë, 6 krehëra, 3 silenciatorë, pranga, 3 thika, pajisje TASER, pajisje portative GPS, 6 gramë marijuanë, celularë dhe karta SIM, 1 dron, dylbi, 5 automjete, çelësi automjeti dhe 79.500 euro.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?