REAGIMET për arrestimin e Agim Kajmakut/ Alibeaj: Rama e mbrojti nga drejtësia! Bardhi: Kriminalizoi qeverisjen qendrore e lokale! Berisha: Pasqyroi fytyrën e qeverisë

12 Qershor 2022, 11:50| Përditesimi: 12 Qershor 2022, 13:35

  • Share

TIRANË- Pas arrestimit të ish kryebashkiakut Agim Kajmaku me 20 kilogramë kokainë, ka reaguar Partia Demokratike, duke thënë se gjatë kohës që opozita e akuzonte, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe ja fshehu drejtësisë. Kreu i Grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj në reagimin e tij shkruan se Rama do të zgjedhë kodin mafioz të heshtjes dhe nuk do të flasë për një trafikant droge që e bëri kryetar bashkie. Sipas Alibeajt arrestimi i Kajmakut është prova më e qartë, që Rama erdhi në pushtet me ndihmën e krimit dhe të trafikantëve të drogës.  

Pas tij ka reaguar sekretari i PD, Gazmend Bardhi duke thënë se Rama është përgjegjësi kryesor për kriminalizimin e qeverisë qendrore dhe vendore. Bardhi thotë ndër të tjera se sot më shumë se kurrë propozimi i PD për Vettingun në politikë duhet të ecë përpara për të garantuar jo vetëm largimin e të inkriminuarve nga qeverisja, por edhe shkëputjen e lidhjeve mes krimit dhe politikës.

Ish- kryeministri Sali Berisha tha se kriteret e Edi Ramës për krijimin e qeverisë së tij kanë qenë rekordet kirimnale. Ndër të tjera shtoi se arrestimi i Kajmakut pasqyroi fytyrën e qeverisë.

Agim Kajmaku kur u arrestua nga policia italiane për trafik droge me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto. Bashkë me të ka qenë edhe nipi i tij. Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Ora 12:17
Arrestimi i Agim Kajmakut, Berisha: Pasqyroi fytyrën e qeverisë! Rama ka shpërblyer trafikantët e drogës me poste dhe para

1654943319_sb.jpg

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar për arrestimin e Agim Kajmakut duke thënë se kriteret e Edi Ramës për krijimin e qeverisë së tij kanë qenë rekordet kirimnale. Berisha thotë se miqtë e tij po përfundojnë me radhë në qeli pasi rezultoojnë persona aktivë në botën e krimit. Sipas tij, Rama ka shpërblyer me poste dhe para trafikantët e drogës që kanë ushtruar detyrat e caktuara prej tij.

"Ish Narko-Bashkiaku i Edvinit përfundon në burg! Agim Kajmaku trafikonte kokaine me padronet e tij ne qeveri! Miq, është arrestuar në Itali, ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku. Narko-Bashkiaku është kapur me 20 kg kokainë në Itali, duke pasqyruar qartë dhe pastër fytyrën e kësaj qeverie. Kryenarkomani Edi Rama ka shpërblyer me poste dhe para, trafikantë droge, vrasës e hajdutë të cilët kanë ushtruar detyrat e caktuara nga ai.

Është e turpshme sesi kjo qeveri drejtohet nga këta kriminelë dhe njerëzit e tyre, që në shumicën e rasteve kanë më shumë se dy emra dhe një të kaluar të errët. Kriteret e Edi Ramës për krijimin e qeverisë së tij nuk kanë qënë as arritjet profesionale e akademike, por rekordet kriminale. Personat me vrasje, aktive në boten e krimit, krerë organizatash kriminale, kanë predispozitën për të qënë drejtues nën petkun e Edi Ramës.

Njëri pas tjetrit, miqtë e tij po përfundojnë në qeli, ndërkohë që me papërgjegjshmërinë më të madhe ky njeri nuk ka marrë kurrë përgjegjësitë që i takojnë në menyrë të drejtpërdrejtë. Këtu nuk bëhet fjalë për veprime individuale, por për inkriminim kokë e këmbë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij", tha Berisha.

Ora 12:00
Arrestimi i Agim Kajmakut me 20 kg kokainë, Alibeaj: Kur PD e denonconte Rama e mbrojti dhe e justifikoi

1654763068_alibeaj.jpg

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për arrestimin e ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili u arrestua për trafik droge. Alibeaj kujton kohën kur e denonconte PD dhe Rama e mbronte duke thënë se kanë ngjashmëri.

"E mbani mend kur Edi Rama thoshte "Gimi është si puna ime"? E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge.Kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe e ia fshehu drejtësisë sa mundi. Nuk hoqi dorë asnjëherë prej sojit si ai, madje atë e përfshiu së fundmi edhe në zgjedhjet e 6 marsit në Vorë!

Kurioz jam të dëgjoj se çfarë do thotë sot shefi i Rilindjes, për një trafikant droge që e bëri kryetar bashkie, siç bëri shumë të tjerë, deputetë e drejtues të lartë të pushtetit të tij. Nuk pres as të skuqet e as të zverdhet, sepse është i nxirë faqje të gjithëve nga raportet e DASH dhe ODHIR!

Me shumë gjasë sot, Edi Rama i zënë prapë mat, do zgjedhë kodin mafioz të heshtjes! Denoncimet e PD në të gjitha rastet për të inkriminuarit e tij janë vërtetuar dhe është provuar se pushteti i tij, është pushtet i marrë me kriminelë e trafikantë droge dhe me votat e non gratave të tij.

Agim Kajmaku është prova më e qartë për këtë. Edi Rama erdhi në pushtet me ndihmën e krimit që blenë e mblodhën vota për Rilindjen, dhe vazhdon të qëndrojë në pushtet me votat e krimit e të non gratave", shkroi Alibeaj.

Ora 11:55
Arrestimi i Agim Kajmakut, Bardhi: Kriminalizoi qeverisjen qendrore e lokale, Rama bllokoi iniciativën e PD për vetting në politikë

1654791472_bardhi.jpg

Gazment Bardhi ka reaguar për arrestimin e Agim Kajmakut duke thënë se Rama nuk mund të fshihet pasi ish kryebashkiaku i Vorës do të ishte në detyrë nëse PD nuk do bënte denoncim për të shkuarën e tij kriminale.

“Edi Rama është përgjegjës për kriminalizimin e qeverisjes qëndrore dhe lokale. Ai nuk mund të fshihet dhe nuk mund ti ikë përgjegjësisë së tij.

Edi Rama e emëroi Agim Kajmakun kryetar të bashkisë së Vorës dhe ai do të ishte sot në detyrë nëse PD nuk do kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale. Asokohe Edi Rama dhe Belinda Balluku, në vend të ndjesës ndaj qytetarëve, zgjodhën baltën ndaj denoncuesve.

Që nga muaji Tetor 2021 Edi Rama ka bllokuar iniciativën e PD për vettingun e politikës. Sot më shumë se kurrë ajo iniciativë duhet të ecë përpara, duke garantuar jo vetëm largmin e të inkriminuarve nga qeverisja, por edhe shkëputjen e lidhjeve mes krimit dhe politikës”, tha Bardhi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?