Reagon Senati Akademik: Henri Çili u thirr në polici për Legal Studio, nuk ka lidhje me UET...(por godina ndodhet tek universiteti!)

28 Shkurt 2020, 16:16| Përditesimi: 28 Shkurt 2020, 16:34

  • Share

TIRANE - Senati Akademik i UET-së, thotë se Henri Çili, pronari i këtij universiteti prej 15 vitesh në Tiranë, është "thirrur në organet e drejtësisë për të dhënë sqarime mbi Legal Studio shpk". Kjo studio, është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Europian i Tiranës, thuhet në reagimin publik të Senatit Akademik të UET-së.

Kështu, profesorati i UET-së nuk përmend në asnjë rast, akuzat e ngritura ndaj Çilit me dyshimin se ndër të tjera, ka ndikuar në sistemin e  drejtësisë për të favorizuar dhe zbutur dënimin e dy vëllezërve nga Lazarati, në këmbim të pronave dhuratë nga babai i tyre Adil Aliko.

Por në fakt, "Legal Studio sh.p.k",  godinën qendrore e ka tek UET, dhe ortaku me 25 % të aksioneve në Legal Studio është administratori i UET-së. 75% të aksioneve të Legal Studio i ka Henri Çili, botues dhe pronar 100% i UET.

"Në interes të informimit të drejtë publik, Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës sqaron se ndalimi i z. Henri Çili nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e UET dhe European Education Initiative shpk, që ka në pronësi këtë universitet.Ne si anëtarë të Senatit Akademik reagojmë me indinjatë ndaj pasaktësive, spekulimeve ose dashakeqësive në raportimin e ngjarjes së sotme, duke sqaruar se thirrja e z. Cili në organet e drejtësisë lidhet me dhënien sqarime mbi Legal Studio shpk, i cili është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Europian i Tiranës.

UET dhe shoqëria që e ka në pronësi, respektojnë të gjitha standardet e mirëadministrimit, sipas legjislacionit në fuqi në të gjitha aspektet dhe kanë marrëdhënie shumë korrekte me të tretët. Ky institucion u është nënshtruar standardeve më të larta ndërkombëtare në auditim financiar. Senati Akademik i UET garanton opinionin publik se i gjithë stafi akademik i Universitetit, mbi 100 pedagogë të brendshëm, profesorë dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave mbeten të përkushtuar për të vijuar misionin e këtij institucioni të arsimit të lartë, në raport me studentët dhe shoqërinë", thuhet ne reagimin e unifikuar te Profesoratit të Universitetit Europian të Tiranës.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?