Arrestimi i Durim Bamit në Dubai, kryepolici Rrumbullaku: S'është liruar, i është lehtësuar masa! Burime për 'Report TV': Ndodhet në arrest shtëpie

14 Gusht, 12:28| Përditesimi: 14 Gusht, 12:49

  • Share

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mohon publikisht se Durim Bami, i shumëkërkuari nga drejtësia për dosjen voluminoze të SPAK të koduar “Revanshi”, të jetë liruar nga autoritetet ligjzbatuese të Dubait.

Ai sqaroi sot (14 Gusht) gjatë një konference për mediat, se nuk bëhet fjalë për lirim, por “ka një lehtësim të masës së sigurisë”. Më konkretisht, gazetari i “Report Tv”, Sokol Dema, raporton se ndaj tij është caktuar masa 'arrest shtëpie'.

Një ditë më parë (13 Gusht), u raportua se “i forti i Niklës” kishte lënë qelinë, gjë që sot e pohoi edhe kryepolici Rrumbullaku. Por sipas procedurave të autoriteteve të Dubait, që është ndjekur edhe me të kërkuar të tjerë VIP nga drejtësia shqiptare, pas vlerësimit të dokumentacionit, por edhe kundërpërgjigjes nga të dyshuarit që aplikojnë për azil, masat lehtësohen me urdhër që personat të mos largohen nga vendqëndrimi pa autorizimin e autoriteteve të drejtësisë.

Në të kundërt riarrestohen dhe ekstradohen menjëherë me proces depërtimi, pasi në fillim i nënshtrohen hetimeve dhe gjykimit për shkeljen që kryejnë aty (thyerjen e urdhrit).

Durim Bami u arrestua në Dubai më 12 qershor dhe u mbajt në paraburgim sipas periudhës së parashikuar nga autoritetet atje dhe tashmë Gjykata ka vendosur ta lirojë nga qelia, por jo nga masa shtrënguese e lehtësuar me arrest shtëpiak. Për kokën e tij u dhanë deri në 1 mln euro pagesë sipas SPAK, referuar përgjimeve dhe hetimeve në dosjen "Revanshi".

Pagesa ishte ofruar nga ish-deputeti Arben Ndoka, me motive hakmarrjeje, për vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka, në Lezhë, në vitin 2017. Porosia ishte marrë përsipër nga "mbreti i kumarit", Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë dhe në mënyrë të mistershme prej 8 gushtit të vitit 2022.

Bashkë me të vepronte nga qelia e burgut edhe i arrestuari Emiljano Shullazi dhe persona të tjerë të grupit. Bami sipas prokurorisë, i ka mbijetuar disa atentateve, teksa akuzohet për disa krime të rënda, përfshi edhe vrasjen.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eri: 15/08/2024 09:32

    Sa t'u mbarojne leket dhe ketyre e do kthehen vete pas 1 viti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?