Arrestimi i dy trafikantëve që vidhnin ikona në Shqipëri, Gonxhe: S'na mungon asgjë, të dyshuarit s'janë punonjës në parqet tona arkeologjike

31 Mars, 13:39| Përditesimi: 31 Mars, 15:47

  • Share

Ministri Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe ka reaguar në lidhje me arrestimin e dy 50-vjeçarëve ditën e djeshme në Durrës, të cilët akuzohen se trafikonin jashtë shtetit ikona dhe vepra arti të vjedhura në parqet arkeologjike të vendit tonë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Gonxhe sqaron se pas komunikimeve zyrtare me institucionet e trashëgimisë kulturore është konfirmuar se në asnjë prej të ashtuquajturave fondeve pasuri kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cenuar asete të ndryshme.

Fillimisht dje policia tha se një nga të dyshuarit për vjedhjen dhe trafikimin e ikonave dhe veprave të artit ishte vetë roje e një parku arkeologjik, por kjo gjë është hedhur poshtë nga ministri Gonxhe.

Ministri thekson se Pëllumb Leka - i cili dyshohet si një ndër dy trafikantët – nuk është pjesë e stafit të asnjë institucioni në varësi të MEKI.

“SQARIM: Pas komunikimit zyrtar me institucionet e trashëgimisë kulturore, DRTK/Parqe dhe Muze, lidhur me ngjarjen e bërë publike në media nga Policia e Shtetit, sot më datë 30 Mars 2024, mbi operacionin e koduar "ikonat", në asnjë prej fondeve pasuri kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cënuar inventaret apo pasuritë në to!

Njëkohësisht, asnjë nga emrat e bërë publik nga policia, si trafikantë të dyshuar të objekteve të sekuestruara në flagrancë, nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEKI!

Për rrjedhojë, shpresoj në mirëkuptimin e publikut për faktin se në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk kam nxituar ende të përgëzoj, aq më tepër sepse duke bërë këtë mund të konfirmoja një lajm, që edhe pse nga Policia e Shtetit, duhet të verifikohet!

Duke uruar, ashtu siç shikohet nga pamjet, që ekspertimi i planifikuar ditën e martë pranë Policisë së Shtetit, të nxjerrë se flitet për kopje fallco apo riprodhime amatoreske”,- shkruan Gonxhe.

Dje policia e Durrësit njoftoi se vuri në pranga dy 50-vjecarë, Pëllumb Lekën dhe Emanuel Çacon të cilët trafikonin ikonat në vendet fqinje me qëllim përfitimi. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?