Erisa Xhixho, duke folur në Komision për arrestimin e Ilir Metës

Arrestimi i Ilir Metës/ Xhixho: Vilson Bala që e rrëmbeu, do drejtojë Policinë e Tiranës! Ballanca: Avokati i Popullit ka nisur hetimet, na ka shqetësuar rasti

13 Nëntor, 13:03| Përditesimi: 13 Nëntor, 13:07

  • Share

Teksa Avokatja e Popullit po raportonte në Komisionin e Çështjeve Ligjore për buxhetin e vitit 2025, fjalën e kanë marrë deputetët anëtarë, ku u vu re se opozita disa herë doli nga rendi i ditës, duke trajtuar edhe tematika të ndryshme, si marrëveshja e emigrantëve Itali-Shqipëri, por edhe çështja e arrestimit të Ilir Metës, presidenti i Partisë së Lirisë.

Ishte deputetja e PL, Erisa Xhixho që ngriti shqetësimin dhe kërkoi informacion nga Erinda Ballanca për veprimet e kryera nga Avokati i Popullit.

“Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Ish-Presidenti i Republikës, Zoti Meta, është tërhequr zvarrë në sytë e publikut, nga policë me maska, pa shenja identifikuese, në mënyrë banditeske. Është filmuar për ta denigruar dhe për ta trajtuar atë në mënyrë çnjerëzore. Kemi disa shkelje flagrante të policisë së shtetit dhe forcave operacionale. Jemi në një moment kur procesi i arrestimit nuk është kryer siç duhet. Ky proces i kryer nga forcat operacionale, personi që ka dhënë urdhrin quhet Vilson Bala, që sot ky bandit do të drejtojë Policinë e Tiranës ( E tregon me foto), që ka dhënë urdhrin për t’u trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Ka qenë dhe personi që është paraqitur në hotel për të filmuar dhe paraqitur gjithë botës arrestimin në mënyrë çnjerëzore”, tha Xhixho.

Teksa më tej kërkoi edhe informacionin nga Ballanca në lidhje me arrestimin që e cilësoi si “rrëmbim dhe akt terrorist”.

“Unë di që ju keni nisur një proces për këtë arrestim dhe akt terrorist dhe keni marrë hapat e nevojshëm për t’u informuar për këtë rast. Çfarë informacioni dhe çfarë hapash po ndiqni?”, pyeti Xhixho.

Ballanca iu përgjigj se:

“Më ka shqetësuar filmimi që ka rrjedhur në media, dhe mënyra si është formalizuar arresti që është një urdhër gjyqësor. Veprimet e policisë së shtetit, kanë qenë në vlerësimin e Avokatit të Popullit, të nevojshme për të pasur një hetim për këtë çështje. Kemi nisur që të nesërmen një proces, kemi dërguar komunikimet dhe shkresat përkatëse, kemi marrë përgjigje nga SPAK dhe BKH që nuk kanë qenë të pranishëm. Ndërsa përgjigja nga Policia e Shtetit është e kufizuar. Ne jemi duke vlerësuar dhe marrë masat përkatëse për ta çuar deri në fund këtë çështje. Të jeni të sigurt që gjetjet tona do jenë në përputhje me ligjin dhe do bëhen publike”.

Bllanca shtoi më tej se “fakti që kemi nisur hetim me iniciativë do të thotë që kemi evidentuar një problematikë. Do të hetojmë dhe qëndrimi ynë zyrtar do të jetë në fund me rekomandimet”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?