Ndoshta ishte e papritur dhe jo fort “e këndëshme” ngjarja e djeshme, ku krahas aksionit për kokat e trafikut ndërkombëtarë të drogës, u arrestuan edhe dy ish-deputet, njëri për korrupsion pasiv dhe tjetri për tjetërsim pronash në bashkëpunim. Natyrisht, që pa marrë të drejtën e prokurorit dhe gjyqtarit, për shumë qytetarë veprimet e prokurorisë, nuk ishin shumë të pëlqyera, sepse prisnin më shumë.
Nëse drejtësia ka nisur të pastrojë llumin, le të bëhet me peshq, ngjala, cironka… çfarëdo që të mbaj e “ushqej” ky moçal i jonë i vogël, sepse krimi ka vetëm një ngjyrë, e ata që u përlyen, të sterrosur, nuk do dalin pa u lagur, kur nuk ka lum që i lanë.
Por u shokova, kur mu desh të dëgjoja një deklaratë nga bregu i Lanës, se: aksioni i mbrëmshëm ishte për peshq të vegjël… për të mbuluar ata të mëdhenjtë! Nëse dy (ish)deputetë, na qenkan të vegjël, atëherë fërkova duart, se për nga radha e të mëdhenjve, tani u takon ministrave e ish-ministrave, kryeministrave e ish-kryeministrave, presidentëve e ish-presidentë.
Por anekdotave të bregut të Lanës, pritësit e ethshëm të drejtësisë ua kanë pirë lëngun, e ndaj prisnin, që nën pranga të ishin bashkë me Çukon edhe Prengën, ministra ose ish-ministra, kryeministra ose ish-kryeministra apo dhe ndonjë president… shumë prej të cilëve kanë konsumuar krimet më mostruoze, që i dënon ky vend.
Ndaj, ka të drejtë “mëzi” që pëllet, një herë për lirimin e menjëhershëm të kryebashkiakut “bamirës” të tokave të tjetërsuara në Lezhë dhe një herë për inkurajim të drejtësisë për arrestimin e “përfituesit” të tokave të përvetësuara në po të njëjtin vend.
Me thënë të vërtetën, më la një shije të hidhur drejtësia… kur poseduesi i pushtetit, që akuzohet si bamirësi i Ndokës, u arrestua dhe pas kujës së turmës së irrituar dhe kërcënimeve të “Shtëpisë së Gjetheve” u lirua dhe gëzon të gjitha atributet e funksionit të tij.
Nuk e gjykoj rastin, jo se nuk dua, por gjykimi bëhet në tjetër vend, jo në rrugë të madhe mes sheshit të kukuvajkave vajtuese për fatin e tyre duke u tallur me fatin e tjetrit. Ama, nëse është i pafajshëm bamirësi me detyrë shtetërore, si na qenka i fajshëm perfituesi, me detyrë “qytetare”?!
Të vjen seriozisht të gajasesh kur mendon, se Ali Baba i ka dhënë ca “monedha” floriri, që nuk i takojnë një miku dhe rron e mbretëron, e përsëri dhuron… kurse miku dergjet burgjeve përse pranoi dhuratën!
Megjithatë, kjo vlen pak për qytetarin që pret drejtësi! Ah, sa do vlente sikur ai aksion, aq i bujshëm, të kishte bërë shokë rruge gjithë ata politikanë dhe shërbëtorë të politikës, që nuk u trembet syri t’i publikojnë botërisht asetet e tyre kriminale, si produkt i djersës papunuar, asnjë ditë.
Përse po më duket, sikur drejtësia po ecën akoma në gjurmët e padrejtësisë?! Përse janë gëzuar dhe lumturuar këto njerëz, duke na kujtuar dhe njëherë drejtësinë e tyre, sa herë që kopukët e tyre dalin e flasin të keqardhur, për padrejtësinë tonë?!
Vërtetë e keni harruar, se si Xhaferr Isufi dhe Xhuvi Furxhi, kthyen detin në truall ndërtimi e mbi të ngritën karabinanë dhe si “përfituesit” e një vepre penale, morën plot 13 milion euro?!
Ndërsa zyrtarët që i lejuan dhe bashkëpunuan, përfunduan pas hekurave të burgut… me pak dhimbje. Vërtetë i keni harruar tjetërsimet e pronave me qirapërdorje 99 vite, nga gjithfarë ushatari në Golem, Karpen, Gjiri i Lalëzit, Ksamil, Dhërmi e Palasë, apo Fazlliçët me shokë të Porto Romanos?!
Dosjet e pluhurosura, dosjet e dyllosura duhet t’i hapni, sepse kjo do i qetësonte njerëzit dhe do mendonin, se nuk ka më dyshim, po vjen termeti! Pak po ndihet, kur kupton se nënkëmbë po lëvizin në panik minjtë e frikësuar, por duke shpresuar se: Ishalla Zot, ndaloftë aty!
Megjithatë, për skeptikët, arrestimet e djeshme ishin një paralajmërim i frikshëm, se vetëm kohë mund të përfitojnë zullumqarët dhe langarët… por kurrë falje, në emër të: “Na ishte dikur pushtetarë”!/Ekskluzive.al/
Sa minj ka patur gjirizi i SHQUPIT ?
Përgjigjume shumice 250,000