Hasan Dakaj

Ish-ushtari i UÇK-së arrestohet nga policia serbe në Merdarë, ministria e Jashtme e Kosovës kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve

6 Janar, 11:43| Përditesimi: 6 Janar, 12:39

  • Share

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka dënuar, siç tha, ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e tyre.

Përmes një njoftimi për media, MPJD mbrëmjen e 5 janarit bëri të ditur se autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy qytetarë të Kosovës, ish-ushtarin e UÇK-së Hasan Daka dhe Xhavit Daka.

MPDJ deklaron se Xhavit Daka është liruar, ndërsa shton se se për këtë çështje kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e SHBA-së dhe atë të Britanisë së Madhe.

“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”,- thuhet në njoftim.

Po ashtu, ministria thekson se shteti i Kosovës dënon ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”,- thuhet më tej.

Ndër të tjera, MPDJ ka njoftuar se do t’u drejtohet autoriteteve serbe me një kërkesë për të lejuar shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jasharin, që të vizitojë të arrestuarin Hasani.

“Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Daka nga organet serbe.  MPJD do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë.  Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?