Një protestë para kryeministrisë do të mbahet sot në orën 16:00, përpara kryeministrisë në Tiranë kundër arrestimit te ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili më datë 31 Korrik u ndalua nga Policia e Shtetit shqiptar, referuar Letër-Porosisë së Gjykatës Speciale Kosovë.
Protesta e thirrur nga grupi “Krahu i Shqiponjës”, kërkon lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së dhe mos-ekstradimin e tij drejt Hagës, në Dhomat e Specializuara.
Mbi ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohet se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Përmes një letër porosie, autoritetet kosovare informuan palën shqiptare se ndaj tij ka nisur një procedim penal, për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale" dhe "Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare", parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
Avokati i Goxhajt, Bashkim Nikolla e ka cilësuar si vendim me prapavijë politike arrestimin e klientit të tij, ndërsa shton se ai është i pafajshëm.
Kush është Dritan Goxhaj
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.
Dhoma speciale
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara po gjykohen ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.