Arrestimi i Jorgo Goros, Vangjel Dule: I dirigjuar nga Rama, Fredi Beleri duhet të betohet sa më parë si kryebashkiak i Himarës

24 Mars, 13:00| Përditesimi: 24 Mars, 14:43

  • Share

Nga Korça, kreu i PBDNJ-së, Vangje Dule ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.

Dule hedh akuza se gjitha është një lojë politike e dirigjuar nga kryeministri Edi Rama, që sipas tij nuk mund të zbehë njollën e arrestimit të Fredi Belerit.

Ai thotë se nuk Beleri duhet të bëjë betimin sa më parë, pasi sipas tij nuk ka asnjë pengesë ligjore. 

Janë lëvizjet e kryeministrit Rama, lëvizje të cilat nuk mund të sugjestionojnë askënd sepse të gjithë janë të vetëdijshëm që janë lëvizje marionetash në skenën e teatrit të hijeve që përpiqet të ngrejë Edi Rama në Himarë. Thelbi i çështjes është një dhe i vetëm në Republikën e Shqipërisë do respektohet kushtetuta, ligji, konventat evropiane në të cilat vendi është palë a do bëhen pjesë e respektimit të përditshëm të të drejtave të qytetarëve të këtij vendi? Është një njollë e pashlyeshme për rendin, shtetin e së drejtës, atë shtet që mund të pretendojmë se kemi dhe për demokracinë, mbajtja e zotit Bejleri prej 11 muajsh i paraburgosur pa asnjë fakt, argument dhe provë. Për rrjedhojë çështja është shumë e thjeshtë duhet që sa më parë Beleri të kryeje betimin sepse nuk ka asnjë pengesë ligjore për një zhvillim të tillë, të marrë përsipër detyrën dhe në të njëjtën kohë Himara ka nevojë për një transparencë të gjithanshme në ligje me çështjen e pronave dhe kryesisht me ata që kanë përfituar nga ligji i investimeve strategjike. Mbi çdo dhe në çdo çështje që është denoncuar është Edi Rama dhe firma e tij që ka dhënë të gjitha këto të drejta abuzive për rrjedhojë kjo transparencë duhet ti shkojë të gjitha çështjeve deri në fund. 

- Edhe çështjen e z.Goro e quani polikë si të Bejlerit?

Të gjitha lëvizjet janë të orkestruara nga dirigjenti i vetëm në Himarë Edi Rama. Sigurisht që ka shumë viktima në radhët e PS të qeverisë, por edhe të pushtetit vendor të cilët janë zgjedhur me PS që verbërisht zbatojnë urdhrat e Ramës dhe janë ata që mbajnë barrën e përgjegjësisë ligjore sepse ne kemi një kryeministër që është tërësisht i papërgjegjshëm. 

- Goro është denoncuar nga vetë Bejleri?

Kryebashkiaku i Himarës nuk është zgjedhur sipas meje por sipas KZAZ Himarë, KQZ dhe Gjykatës së faktit Vlorë. Asnjë arrestim nuk mund të na sugjestionojë që të fokusohemi tek pjesa, jemi të vetëdijshëm që tjetërkund fle lepuri.  Është Edi Rama që mban përgjegjësinë ekskluzive për kasaphanën e pronave në Himarë. .

- Mendoni se arrestimi i Goros nga Rama po bëhet për të qetësuar Brukselin dhe Athinën

Nuk mund të qetësohet askush pa i shkuar të drejtës deri në fund.  Është tërësisht në drejtimin e gabuar Rama nëse mendon se mund të krijojë iluzione dhe të fshihet pas gishtit të tij në lidhje me përgjegjësitë që janë tërësisht mbi të në lidhje me çështjet e pronave në zonët e bregut të Jonit.

Ora 14:20
‘Pse Rama emëroi Tavon prefekt të Vlorës 9 ditë para arrestimit të Goros?’, OMONIA: Drejtimin e Himarës ta marrë një nga këshilltarët e ‘BF’

OMONIA ka reaguar në një deklaratë për shtyp lidhur me arrestimin e kryetarit në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. Ky i fundit ra në pranga mbrëmjen e 23 marsit, ndërsa akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në dy raste.

OMONIA ka ngritur disa pikëpyetje në deklaratë, si përse Rama ka emëruar Vangjel Tavon Prefekt të Vlorës, duke aluduar se mund të emërohet si kryebashkiak, apo edhe se përse SPAK priti kaq gjatë për arrestimin e Goros dhe përse nuk ka çuar në pranga as Artan Gaçin.

Në fund, OMONIA e mbyll deklaratën duke thënë se duke qenë se nuk po lejojnë betimin e Fredi Belerit, drejtimin e Bashkisë së Himarës duhet ta marrë një nga këshilltarët bashkiakë të koalicionit fitues të zgjedhjeve vendore të majit 2023

Deklarata e plotë

Ideja e Ramës për të emëruar ish-deputetin socialist me origjinë nga Dropulli, Vangjel Tavon, si kryetar të Bashkisë Himarë, u dëgjua për herë të parë në Krishtlindjet e vitit 2023. Vangjel Tavo, për nder të tij, e mohoi këtë gjë në atë kohë. Gjithsesi, rezulton se në Shqipëri asgjë nuk është e rastësishme. Në 3 javët e fundit ka ndodhur si më poshtë:

5 Mars 2024: Kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, u dënua në shkallë të parë në një proces gjyqësor pa prova.

14 Mars 2024: Prefekti i Vlorës u zëvendësua papritur nga Vangjel Tavo.

21 mars 2024: Gjykata Kushtetuese legalizoi paraburgimin e Belerit.

23 Mars 2024: Arrestohet i përzgjedhuri i Ramës dhe humbësi i zgjedhjeve vendore, Jorgo Goro, i cili vazhdoi të drejtojë Himarën për 10 muaj pas humbjes së tij.

Shtrohen pyetjet:

- Përse Rama e emëroi Tavon Prefekt nëntë ditë para se Goro të arrestohej? A ishte për t'ia kaluar atij administratën e bashkisë së Himarës pas paraburgimit të Goros? Mos ndoshta për ta caktuar si kandidat për zgjedhjet e pritshme vendore pas dënimit përfundimtar të kryebashkiakut Beleri?

- Përse prokuroria e SPAK priti kaq muaj për të arrestuar Goron? Mos ndoshta priti të përfundonte gjyqi në Gjykatën Kushtetuese?

- Përse prokuroria e SPAK nuk arrestoi edhe Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, në favor të të cilit u krye falsifikimi për të cilin akuzohet Goro?

- Përse nuk arrestoi prokuroria e SPAK-ut edhe ata që i dhanë Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme Xhaçka, statusin e investitorit strategjik për një pasuri të fituar me falsifikim?

Pas këtyre zhvillimeve, a besoni ende në pavarësinë e SPAK-ut dhe të drejtësisë në përgjithësi?

Nga momenti që z. Rama e ka vendosur përfundimisht të shkelë ligjet dhe Kushtetutën e vendit duke mos lejuar kryetarin e zgjedhur të betohet, dëshirojmë t’i kujtojmë se më 22 dhjetor 2023, deklaroi se do të ndiqte “praktikat më të mira europiane” për bashkinë e Himarës. Kjo do të thotë vetëm një gjë: Kushdo që merr drejtimin e përkohshëm të bashkisë Himarë deri në lirimin dhe betimin e Fredi Belerit, duhet të jetë një nga këshilltarët bashkiakë të koalicionit fitues të zgjedhjeve vendore të majit 2023. Nuk mund të jetë dikush pa lidhje me votën e popullit të Himarës dhe aq më tepër nuk mund të jetë nga një zonë tjetër jashtë bashkisë së Himarës. Ne Himariotët duam si kryetar bashkie njeriun që ne votuam dhe jo atë që i pëlqen Ramës.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?