Platforma e rrjeteve sociale X e Elon Musk ka pezulluar shumë llogari që i përkasin figurave të opozitës në Turqi, mes trazirave të përhapura në vend.
Pezullimi i llogarive vjen ndërsa protestat vazhdojnë, të shkaktuara nga arrestimi i kryetarit të bashkisë së Stambollit dhe kundërshtarit kryesor politik të presidentit turk Erdogan, Ekrem Imamoglu, me akuza për korrupsion dhe terrorizëm.
Protestat u përhapën pavarësisht se qeveria ndaloi tubimet për katër ditë. Shumë nga organizatorët e protestave, anëtarë të partive opozitare, studentë dhe aktivistë, po konstatojnë se llogaritë e tyre janë pezulluar, sipas Yusuf Jan, koordinator dhe analist në Programin për Lindjen e Mesme të Qendrës Wilson.
Dhe ai vuri në dukje se shumë prej këtyre llogarive i përkisnin "aktivistëve bazë" me ndjekës që arrinin në dhjetëra mijëra.
Disa llogari duket se janë pezulluar vetëm për përdoruesit në Turqi, ndërsa mbeten "të dukshme" për pjesën tjetër të botës. Aktivisti Omer Farouk Aslan krijoi një llogari të dytë për të shmangur censurën.
“Dje, llogaria ime u bllokua me urdhër të gjykatës, sepse tweet-et kaluan 6 milionë shikime”, ka shkruar ai.
Ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya shkroi në X se autoritetet kanë gjetur 326 llogari të mediave sociale që "shtypin urrejtjen", 72 prej të cilave ndodheshin jashtë vendit. Pas një operacioni të koordinuar kibernetik nga autoritetet, 54 persona u arrestuan për postimet e tyre në internet, informon media ndërkombëtare.
Ligji turk lejon veprime të tilla, si pezullimi, nëse kërkohet nga qeveria, pasi një ligj i vitit 2022 për mediat sociale i jep qeverisë pushtet të gjerë dhe të paqartë mbi përmbajtjen e postuar në platforma.
Kjo nuk është hera e parë që X ka kufizuar aksesin në përmbajtje online në vend. Në vitin 2023, kur Erdogan u rizgjodh, X kufizoi përmbajtjen "për të siguruar që Twitter të mbetet i disponueshëm për popullin e Turqisë".
Qasja në platforma të tjera të mediave sociale si TikTok, Instagram dhe YouTube është kufizuar gjithashtu në Turqi. X përmbushi rreth 86% të kërkesave të qeverisë për heqjen e përmbajtjes në gjysmën e dytë të 2024 në Turqi, krahasuar me 68% në gjysmën e parë të vitit, sipas raporteve nga organizatat e transparencës.
Lajmi kryesor:
Turqi/ Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, dërgohet në gjykatë! Opozita ende në rrugë kundër Erdogan
A.Q/ReportTv.al