Bota

Arrestimi i rivalit të Erdogan, shpërthejnë protestat në Turqi! 37 të arrestuar për postime 'provokuese' në rrjete sociale

20 Mars, 12:12| Përditesimi: 20 Mars, 12:21

  • Share

Dhjetëra mijëra njerëz në Turqi protestuan mbrëmjen e së mërkurës kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu për korrupsion dhe terrorizëm, i konsideruar si kundërshtari kryesor politik i presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Shumë demonstrata u zhvilluan në Stamboll, pavarësisht se qeveria i kishte ndaluar për katër ditë.

37 persona kanë rënë në pranga për nxitje urrejtjeje pasi shpërndanë mesazhe në rrjete sociale, të cilësuara si provokative në lidhje me arrestimin e Imamoglu, raporton Corriere della Sera.  Arrestimet u bënë të ditura nga ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, duke shtuar se janë identifikuar gjithsej 261 persona të dyshuar pas posteve dhe se edhe të tjerët janë në kërkim. Që kur Imamoglu u arrestua, aksesi në mediat sociale në Turqi ka qenë problematik ose pjesërisht i bllokuar.

Në Stamboll, protesta u zhvilluan në universitete, para bashkisë, pranë selisë së policisë dhe partisë së Imamoglu dhe në disa stacione të metrosë. Policia bllokoi hyrjen në departamentin e sigurisë Vatan, ku mbahej Imamoglu dhe ku Ozgur Ozel, kreu i partisë së tij, u kishte bërë thirrje njerëzve të mblidheshin. Pati përleshje me forcat e sigurisë, disa rrugë dhe linja metroje u mbyllën. 

Zyrtarisht, arrestimi i së mërkurës lidhet me një rast të dyshuar korrupsioni, por edhe me akuza për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e shpallur si organizatë terroriste nga Turqia. 

53-vjeçari  Imamoglu ka drejtuar bashkinë e Stambollit që nga viti 2019 dhe u rizgjodh vitin e kaluar. 

Imamoglu u arrestua disa ditë përpara se të kandidonte si favorit në zgjedhjet paraprake të qendrës së majtë, Partisë Popullore Republikane nacionaliste (CHP) për të zgjedhur kandidatin presidencial për zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për vitin 2028. 

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?