Tirane- Fatmir Balaj, 49 vjeç me detyrë ekspert i ekzaminimeve kompjuterike pranë Institutit të Policisë Shkencore, Tiranë u arrestua pasi kishte ndërruar USB-të ku gjendeshin provat të cilat do të shërbenin për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një subjekti privat, të vënë nën hetim për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, nëpërmjet platformës Forex (call center).
Detaji u zbulua nga prokuroria e Korçës përmes një deklarate për median të 26 qershorit 2024, ku informon se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë ka pranuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për ekspertin e kriminalistikës.
Para se tia jepte për të kryer ekspertim të detajuar USB-së në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë prokuroria kishte realizoi kopjimin e materialit në USB në format CD si dhe mbajti procesverbalin përkatës. Kur disa ditë më vonë Instituti dërgoi përgjigje në prokurori se të dy USB-të e sekuestruara nuk ruajnë në memorien e tyre të dhëna aktuale apo të dhëna që mund të rikuperohen prokuroria nisi hetimet dhe vuri në pranga 49 vjecarin me gradë Kryekomisar.
Si u zbulua ekspertiza e rreme
“Kërkesa për këtë masë sigurie erdhi pasi prokuroria ra në gjurmët e mashtrimeve gjatë hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 1875, i datës 29.12.2023 për ‘Mashtrim kompjuterik’, "Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" si dhe "Punësim i paligjshëm" parashikuar nga nenet 143/b/2, 287/2 dhe 170/a i K.Penal.
Gjatë ndalimit të një shtetasi për këto vepra penale, u sekuestruan ndër të tjera dhe USB-të e markës IIP ngjyre gri metalike 64GB dhe e markes Philips me ngjyrë të bardhë dhe bojëqielli 16GB. Nga kqyrja e pjesshme e këtyre dy USB-ve u nxorrën materiale me interes për hetimin nga ana e prokurorisë, por për shkak të volumit të madh, ato u dërguan për ekspertim të detajuar në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë. Por para dërgimit, Prokuroria realizoi kopjimin e tyre paraprakisht në format CD si dhe mbajti procesverbalin përkatës.
Vetëm pak ditë më vonë, Instituti i Policisë Shkencore dërgoi aktin e ekpertimit, ku theksohet se dy USB-të e sekuestruara nuk ruajnë në memorien e tyre të dhëna aktuale apo të dhëna që mund të rikuperohen.
Pas kësaj ekspertize, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, krijoi dyshimin se USB-të nuk ishin të njëjtat. Dyshime që u vërtetuan pas kqyrjes dhe ekzaminimit të pamjeve të bëra të dy USB-ve me mjete ekspertimi, programe kompjuterike si ‘Media Player’, lente, etj duke vërtetuar USB-të ishin ndryshuar. Një nga detajet që vërtetoi dyshimet e ngritura është se njëra prej USB-ve e markës HP e sekuestuar, me kapacitet 64 GB, sipas kqyrjes së bërë në datën e sekuestros, nuk rezulton të jetë e njëjta me atë të ekspertuar dhe të dërguar nga ana e ekspertit kriminalist pasi edhe nga krahasimi i pamjes së jashtme ka rezultuar se ka pasur pas një mbishkrim tjetër dhe konkretisht ka pasur mbishkrimin HP 64 GB dhe version 3.0" informoi prokuroria e Korçës.
Pas hetimit të prokurorisë, Gjykata caktoi si masë sigurimi ndaj personit nën hetim Fatmir Balaj. "Arrest në burg" parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Ekspertimi i rremë", parashikuar nga neni 248 dhe 309 i K. Penal.