Agjentët e BIA-s duke arrestuar një shqiptar në Bujanoc më 27 dhjetor 2022

Arrestimi i shqiptarit në Bujanoc, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë: Nuk ka lidhje me situatën në veri

29 Dhjetor 2022, 11:46| Përditesimi: 29 Dhjetor 2022, 12:37

  • Share

Arrestimi i një personi me nacionalitet shqiptar në Bujanoc, në jug të Serbisë, aktualisht nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me krizën në Kosovë, tha Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

“Por, ekziston shqetësimi, sepse ai person është arrestuar me një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni”, tha sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviç, për Radion Evropa e Lirë.

Më herët, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) njoftoi se tek i arrestuari, i cili është i dyshuar për terrorizëm, u gjet “sasi e madhe armësh, dhjetë pushkë, një snajper me shurdhues, një scorpion [armë automatike] me shurdhues, një kilogram lëndë shpërthyese, si dhe një sasi e madhe e municionit”.

“Dyshohet se armët janë marrë përmes kanaleve të paligjshme dhe se qëllimi i të dyshuarit ka qenë transportimi i tyre në zonën e Kosovës dhe Metohisë”, u tha në njoftim.

BIA, në njoftimin e saj të datës 27 dhjetor, tha se është arrestuar një person me nacionalitet shqiptar, duke përmendur vetëm inicialet e tij: A.B.

Megjithatë, nuk u specifikua nëse është shtetas i Serbisë apo i ndonjë shteti tjetër. BIA është shërbim civil i sigurisë dhe është pjesë e sistemit të sigurisë dhe inteligjencës së Serbisë.

Mustafi: I arrestuari është nga Kosova

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi, tha për Radion Evropa e Lirë se, sipas informacioneve që disponon, është arrestuar një person nga Podujeva - qytet në verilindje të Kosovës.

Ai tha se i arrestuari ka poseduar automjet me targa bullgare.

“Kështu që nuk ka të bëjë me shqiptar lokal. Deklarata në ueb-faqen e Agjencisë për Siguri [BIA] është shumë domethënëse dhe stigmatizuese, sepse është thënë se është i përkatësisë shqiptare. E gjithë stigma lidhet me qytetin e Bujanocit, ku jetojnë shqiptarët, dhe se [i arrestuari] është shqiptar”, tha Mustafi.

Deri në publikimin e këtij artikulli, informata e tillë nuk u konfirmua e as nuk u mohua nga Beogradi zyrtar.

Çfarë thanë dëshmitarët lidhur me arrestimin?

Bujanoci, ku u bë arrestimi, ndodhet në afërsi të kufirit me Kosovën dhe është një nga tri komunat me popullatë shumicë shqiptare në jug të Serbisë. Sipas dëshmitarëve, arrestimi është bërë në parkingun e hotelit “Rozafa”.

“Kemi pasur problem, sepse e kanë bllokuar parkingun, nuk kanë lejuar të hyjnë apo të dalin njerëz. Brenda nuk kanë hyrë. Personi është arrestuar jashtë”, tha Ndriçim Hasani, drejtor i hotelit.

Ai shtoi se kamerierët kanë thënë se i arrestuari, gjatë ditës, ka qenë në restorant të hotelit dhe ka pirë kafe, ndërsa, në momentin e arrestimit, ai ka qenë në hapësirën e parkingut.

“Nuk e dimë saktë se sa herë ka qenë në restorant. Më thanë se edhe dikush tjetër ka qenë me të, por në momentin e arrestimit ka qenë vetëm”, tha Hasani.

Arrestim në jehonën e krizës në Kosovë

Lajmi për arrestimin erdhi në kohën e krizës politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës. Këtij fakti i referohet edhe Maja Bjellosh nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCBP).

“Për arrestimin, BIA informoi publikun në mënyrë joprofesionale, duke paraqitur një sërë dyshimesh dhe spekulimesh, si dhe të dhëna personale të ndjeshme, si nacionaliteti, në vend të fakteve dhe provave”, tha Bjellosh.

Ajo theksoi se autoritetet shtetërore kanë përgjegjësinë më të madhe që të kujdesen për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Serbisë.

“Është shumë e nevojshme që në situatën e krizës në Kosovë të mos ndodhin konflikte ndëretnike në territorin e Serbisë”, tha Bjellosh.

Sa u përket armëve, për të cilat BIA deklaroi se i janë gjetur të arrestuarit, Bjellosh tha se sasia e madhe e armëve dhe municionit në posedim privat të qytetarëve, duhet të jetë shqetësuese. Sipas saj, mbajtja e armëve pa leje është një vepër e rëndë penale, që dënohet nga 2 deri në 12 vjet burg.

Ajo shtoi se u takon autoriteteve të dëshmojnë synimin për transportin e armëve në Kosovë.

BIA, përmes një komunikate, tha se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe se bashkë me kallëzimin penal do t’i procedohet prokurorit kompetent.

Ngritja e gatishmërisë luftarake në Serbi

Arrestimi në Bujanoc ndodhi në kohën kur ushtria dhe policia në Serbi u vunë në “gatishmëri të plotë luftarake”, pasi grupe serbësh nga veriu i Kosovës ngritën barrikada në rrugë.

Barrikadat u ngritën qysh më 10 dhjetor, për shkak të arrestimit të Dejan Pantiçit, ish-pjesëtar serb i Policisë së Kosovës, i cili dyshohet se në fillim të dhjetorit ka sulmuar objektin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Më 28 dhjetor, siç konfirmoi avokati i tij për REL-in, paraburgimi policor i Pantiçit u zëvendësua me arrest shtëpiak.

Që nga ngritja e barrikadave, njësitet policore dhe ushtarake të Serbisë janë përqendruar në jug të këtij vendi, përgjatë kufirit me Kosovën.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha më 28 dhjetor se ushtria dhe policia nuk janë të dislokuara vetëm pranë kufirit me Kosovën, por në lokacione të ndryshme. Megjithatë, ai nuk dha më shumë detaje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha mbrëmjen e 28 dhjetorit se barrikadat e ngritura në veri të Kosovës, do të fillojnë të hiqen mëngjesin e 29 dhjetorit, pasi, siç tha, ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e serbëve në Kosovë do të plotësohen. Lirimi i Pantiçit ka qenë një prej kërkesave./REL

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?