Dritan Gjika

Bota

Media kolumbiane për Dritan Gjikën: Fluturimet për në Bogota dhe lukset në Dubai të bosit të fuqishëm të drogës shqiptare, për të cilin flet presidenti

13 Qershor, 09:34| Përditesimi: 13 Qershor, 10:02

  • Share

Dritan Gjika u arrestua më 26 maj në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. I njohur si "Tony", Gjika është përmendur edhe nga krere të shteteve ndër të cilët presidenti kolumbian, Gustavo Petro.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, e përmendi emrin e Gjikës më 28 maj 2025, duke e quajtur atë pjesë të një ‘bordi drejtues të narkotrafikut’, ku bëjnë pjesë shtetas kroatë, serbë, francezë, holandezë, kolumbianë, amerikanë dhe shqiptarë.

Nga dokumente dhe burime konfidenciale të siguruara nga gazeta El Tiempo, del se Gjika ka lëvizur mes Stambolli, Guayaquil-it (Ekuador), Dubait, Bogota, Tiranës dhe Calit, duke përdorur pasaporta false, biznese fasadë dhe identitete të ndryshme.

Ai ka hyrë dhe dalë dhjetëra herë në Kolumbi, ku ka lidhje me rrjete të trafikut të kokainës në Cali dhe Valle del Cauca, dhe nga atje droga transportohej drejt kufirit me Ekuadorin, vend që Gjika e përdorte si bazë të sigurt.

Në Guayaquil, ai krijoi katër kompani, Agricontrade S.A., Cresmark S.A., Cannmaná S.A. dhe Negoglobal S.A., me objekt veprimtarie kultivimin e kanabisit dhe eksportin e mineraleve, që sipas hetimeve, shërbenin si mbulesë për kontrabandën e kokainës drejt Europës.

Gjika dhe bashkëshortja e tij Ashley Ruiz, shtetase ekuadoriane, blenë një vilë luksoze jashtë Guayaquil-it, ku autoritetet sekuestruan disa automjete të blinduara, përfshirë: BMë X6 (vlerë: 120.000 USD), Porsche Cayenne i blinduar (vlerë: 149.990 USD, në emër të Agricontrade), Chevrolet Corvette, Jahti ‘Recreo’ (Sea Ray Sundancer 310), blerë në 2020 për 50.000 USD.

Ky standard jetese u financua përmes trafikut të drogës, ndërsa llogaritë bankare dhe asetet ishin të maskuara nën emrat e kompanive dhe familjarëve. Sipas burimeve federale, Gjika kishte një bashkëpunëtor kolumbian të njohur si ‘JR’, që më herët ishte arrestuar nga DEA në SHBA. Tani ai është sërish në kërkim dhe dyshohet si furnizuesi kryesor i kokainës që kalonte nga Kolumbia në portet europiane të Algeciras (Spanjë), Francë, Holandë dhe deri në Shqipëri.

‘Pas arrestimit të parë, ‘JR’ ndryshoi identitetin dhe u rikthye në trafik. Hetimet e reja kanë nxjerrë lidhjet e tij të drejtpërdrejta me Dritan Gjikën’, tha një oficer i anti-drogës për El Tiempo.

Emri i Gjikës është përmendur edhe në kuadër të hetimeve për vrasjen e prokurorit paraguajan Marcelo Pecci në Kolumbi. Presidenti Petro ka përmendur trafikantin uruguajan Sebastián Marset si të përfshirë në atentat dhe ka sugjeruar se dosja Peçi është manipuluar, ndërsa autoritetet kolumbiane dhe ato paraguajane kanë hapur një linjë të përbashkët hetimore.

Arrestimi i Dritan Gjikës ka ringjallur shqetësimet për rrjetin e trafikantëve të strehuar në Dubai dhe Abu Dabi, ku shumë prej tyre përdorin pasaporta false, firma fasadë dhe investime të rreme për të fshehur paratë e drogës.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?