Tiranë- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxës, për heqjen e sekuestros ndaj vilës në Qerret të Kavajës, e vendosur nga ana e SPAK.
Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, informon se vendimi është marrë sot (10 mars) nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili la në fuqi vendimin e shkallës së parë të GJKKO-së, të datës 10 shkurt të këtij viti.
“Për çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në vendim.
GJKKO e shtyu për të mërkurën (12 mars) vendimin për ankimimin e Ajola Xoxës. Seanca do mbahet në orën 09:30. Xoxa gjithashtu ka bërë ankimim të vendimit të shkallës së parë, për sekuestron e llogarive bankare nga SPAK-u. Në seancë ishte i pranishëm vetëm prokurori Olsi Dado, i cili ditën e sotme ka paraqitur disa akte shtesë. Ndërkohë gjyqtar është Engert Pëllumbi.
Për këtë çështje ndodhet i paraburgosur që prej 10 shkurtit kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili nesër ka edhe masën e sigurisë në Apel, pasi e ka ankimuar “arrestin me burg”. Nën hetim janë bashkëshortja e tij, i vëllai dhe 6 biznesmenë. Gjyqtari Erjon Bani dhe prokurori Olsi Dado nuk kanë pranuar kërkesat e avokatëve në shkallën e parë për zbutje mase.
Komente
