Politikë

Arrestimi i Veliajt, Meçe bën krahasimin: Berisha mbajti pushtetin me dhunë dhe vrau njerëz, sot del bën moral! Mërtiri: SPAK po godet majtas e djathtas

11 Shkurt, 18:06| Përditesimi: 11 Shkurt, 18:23

  • Share

TIRANË - Analistët Arben Meçe dhe Ergys Mërtiri komentuan në ‘Studio Live’ arrestimin e Erion Veliajt dhe reagimin e sotshëm të kryeministrit Rama. Meçe theksoi se arrestimi i Veliajt nuk ishte i papritur, pasi ka pasur diskutime për hetime pasurore, por masat e sigurimit ndaj tij ishin një surprizë.

Ai gjithashtu kritikoi përdorimin e personave anonimë në procedurën ligjore, duke e konsideruar këtë si një mangësi të besueshmërisë në hetime.

'Nuk ishte e papritur. Ka kohë që diskutohej për hetimin pasuror. Kemi ndjekur dhe oficerët e BKH në kontrollin e paramenduar tek shtëpia e të shoqes. Hetimi pasuror është një akt i njohur. Vendimmarrja për masë arrest është e reja. Masa e arrestit, është një surprizë për sa i përket Veliajt por jo për ngjarjet lidhur me SPAK. Nuk është rasti i parë dhe i fundit. Sa këto masa janë të rënda apo jo, nuk kemi ekspertizën, por nuk njohim çështjen në themel. Nesër kemi një ballafaqim mes avokatëve, prokurorëve, gjykatës. Veliaj nuk bën mbrojtje politike.

Tenton ta largojë aktin e vet nga konsekuenca që do ketë PS, e ka orientuat betejën e vet në të vërtetën e tij. Presim analizë më të thellë të dosjes, për të kuptuar nëse masa e sigurisë është e justifikueshme. Veliaj u fut në terren publik. Kjo çështje filloi pas një denoncimi të një personi anonim. Personi anonim nuk ekziston në procedurë. Kur është anonim do të thotë që ti ke kapërcyer me ndërgjegje një dispozitë ligjore. Dhe çështja ka një vello mosbesimi. Nuk ta lejon procedura të fillosh çështje me persona anonim.' 

Nga ana tjetër, Mërtiri e vlerësoi arrestimin e Veliajt si një ngjarje të rëndësishme për vendin dhe si një goditje të fortë për Ramën, duke i dhënë SPAK një imazh të besueshëm si një institucion të gatshëm të godasë të dyja palët, edhe ata pranë kryeministrit, edhe ata pranë opozitës.

'Unë e shoh këtë ngjarje si të rëndësishme për vendin. Jo se nuk ka pasur zyrtarë të lartë të arrestuar. Ka pasur dhe e ka bërë SPAK të fitojë guximin të godisë njerëz pranë kryeministrit. A goditur nivele të larta dhe e ka bërë të fitojë besimi dhe të bëhet e vetmja shpresë në këtë vend. Veliaj nuk është thjesht një zyrtar i lartë. Është një investim i rëndësishëm disa vjeçar. Janë mbështetur rrjete të caktuar politikanësh, biznesmenësh. U projektua si lideri i Ramës, pas Ramës. Njeri me fuqi të madhe politike, mediatike. I fuqishëm sa dhe Rama sot është i tronditur dhe nuk e ka marrë veten. Kjo goditje edhe para zgjedhjeve. SPAK ka fituar fuqinë e një institucioni serioz dhe nuk i bën syri tërr nga asnjë gjë në këtë vend. Sot pashë Ramën të kërcënojë SPAK hapur. Foli për prokuror që abuzojnë me detyrën. Kërcënoi prokurorët që do pësojnë ata fatin e Veliajt.

SPAK po godet në nivele të tilla, dhe po goditet nga të dyja anët, nga Berisha dhe Rama. Janë bashkë dhe bëhen të rrezikshëm sepse kanë mazhorancë kushtetuese. Mund ta eliminojnë SPAK që sot. Nuk mund të bëjnë shumë gjëra haptazi. Mendoj se nuk do e fitojnë këtë betejë. Do shihet nëse administrata e re në SHBA do e vazhdojë këtë luftë ndaj korrupsionit. Nëse Rama dhe Berisha fitojnë do kthehemi në kënetën e këtyre 30 viteve.' 

Meçe shtoi se Rama dhe PS mund të përfitojnë nga arrestimi i Veliajt, duke përdorur këtë si një kartë politike për të treguar luftën ndaj korrupsionit, por e kritikoi SPAK për fokusimin e vetëm në korrupsionin në qeverisjen Rama dhe injorimin e rasteve të mundshme të korrupsionit në periudhën e Berishës.

'Janë të gëzuar se do pushojnë atë marrëzitë e protestave para bashkisë, duke korrur fitore. Megjithëse çështja nuk ka të bëjë me protestat, por me një anonim Nesti Angoni. Ata janë të çliruara se një aksion politik i nisur në mënyrën idiote të mundshme, i mbeti në dorë dhe u mbyll. Është një fitore të aksionit të PD në skakierën politike. Karta e PD, është korrupsioni i qeverisjes Rama. Faktet që SPAK ka nxjerrë, i kanë dhënë një kartë në dorë opozitës për ti thënë po qeverisja Rama është e korruptuar. Dhe me të drejtë Rama u ballafaqua me një lëvizje si masa e arrestit ndaj Veliajt. Rama sot iu drejtua elektoratit të vet. Perceptimi që korrupsioni në periudhën e Ramës ka pasur përmasa drastike.

Unë e kam mbështetur teorinë e SPAK, korrupsioni endemik, është një korrupsion që duhet goditur në mekanizëm i sistem. Korrupsioni që po godet SPAK është vetëm në qeverisjen Rama. Në 8 vite qeverisje të Berishës, nuk gjeni një rast?  Kemi nxjerrë me dhjetëra fakte të korrupsionit endemik në kohën e Berishës. Shqetësimi i ardhur te Rama, që sot hapi sytë dhe mënyra si po vepron SPAK i ka prishur ekuilibrat politikë. Rama nuk foli për SPAK, por për individë të SPAK. Pse nuk paska një çështje të mbyllur në SPAK për korrupsionin në PD gjatë 8 viteve? Kemi një çështje të gjykuar, 21 janarin, SPAK hesht? '

Ai e quajti këtë një disekuilibër politik dhe një pasiguri në mënyrën si SPAK po vepron.

'Nëse fus në kandar, e quaj të mirëqenë vendimmarrjen e SPAK. Por disekuilibrin politik që ka krijuar SPAK, unë mund të flas. Unë mund të dëshmoj për skemën e 21 janarit. Njeriu më i korruptuar i 8 viteve, Sali Berisha del sot e bën moral. Mbajti me dhunë pushtetin dhe vrau njerëz, del sot bën moral. Kultivoi 900 ton hashash në Lazarat dhe e trafikoi me Flamur Nokën. Sot i them Ramës i hape shumë vonë sytë. SPAK goditi vetëm PS duke mos nxjerrë asnjë fakt për korrupsionin e PD-së. Liri Berisha është financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një oligarki e korruptuar e kohës.

Personi më i korruptuar i kohës Taçi, që mori Armon dhe e shkatërroi me strategji të qeverisë. A nuk ja dha Berisha industrinë e naftës që ta shkatërrojë? Ky fakt është publik. Pse SPAK nuk e ka kapur një gjë të tillë? Duhet ta bëjë edhe për krahun tjetër. janë fakte botërore të krimit të Berishës që ti ke heshtur. SPAK është karta politike që Rama do përdor në fushatë elektorale. Por nuk do lejojë që SPAK të përdoret në dorën e Berishës për riciklimin e tij në skakierën politike.'

Mërtiri, nga ana tjetër, e konsideroi goditjen e Veliajt si një sinjal se SPAK është një organ i besueshëm, i mbështetur nga ndërkombëtarët dhe që nuk i friksohet asnjë presioni politik.

'Nuk jam dakord që Berisha po përfiton nga arrestimi i Veliaj. Ka qenë dhe ai i turbulluar si Rama. Dje nuk doli fare që të flas, me shumë vonesë nxori Këlliçin që të bënte një deklaratë qesharake. Arrestimi i Veliaj rrëzon alibinë që ka pasur Berisha këto 3 vite, se SPAK është krijesë e Soros. Goditja e Veliajt është një goditje fatale për Ramën. E ka vënë në tension zotin Berisha. Bëri deklaratë budallaçkë se arrestimi u bë vetë nga Rama, për të tërhequr vëmendjen nga zyrtari i Trump. Arrestimi i Veliajt, tregon se SPAK është i amerikanëve, ndërkombëtarëve.

SPAK ka goditur djathtas dhe majtas. Ka goditur zotin Berisha për të cilën ka masë, ka masë për dhëndrin e tij. 21 janari është në hetim dhe besoj se do dalë diçka. Gërdeci është në hetim dhe diçka do dalë dhe aty. Kemi dhe Belind Këlliçin në hetim. Por është e vërtetë që edhe nga ana e zotit Rama ka më shumë. Dënimi i të korruptuarit sot në pushtet, është më i rëndësishëm se dënimi të korruptuarit që ishte dje në pushtet.'

 

G.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?