Arrestimi në SHBA i zyrtarit të FBI, McGonigal kishte biznes në Shqipëri! Udhëtoi në Tiranë dhe historia e koncesionit të naftës (DOKUMENTET)

24 Janar 2023, 15:28| Përditesimi: 24 Janar 2023, 23:17

  • Share

Arrestimi i një ish zyrtari të lartë të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Charles McGonigal, ka trazuar ‘ujërat’ disa mijëra kilometra më larg, në kryeqytetin shqiptar Tiranë. Si gjithmonë akuzat politike nuk mungojnë.  Po çfarë lidhje kishte Charles McGonigal, që dyshohet nga prokurorët amerikanë për lidhje me Rusinë, me Shqipërinë?

Shqiptarja.com ka siguruar dokumentin që vërteton se amerikani ka një aktivitet biznesi në Shqipëri. Ai është administrator i një studioje ligjore të quajtur ‘Law Office and Investigation’, aktualisht me aktivitet të pezulluar dhe ka 25% të aksioneve.  Por ajo që hedh më shumë dritë në gjithçka që ka ndodhur dhe cila është lidhja me Shqipërinë lidhet me emrat e tjerë që janë si aksionere në këtë kompani: Shefqet Dizdari dhe Agron Neza. ‘Law Office and Investigation’ është një kompani e regjistruar në vitin 2008 nga Shefqet Dizdari, një avokat shumë i njohur nga Tropoja, i cili në 2019 ai i ka shitur aksione ish zyrtarit të lartë të FBI Mc Gonigal, Agron Nezës dhe një shtetasi tjetër të huaj, me emrin Mark Thomas Rossini.  Dy vite më parë, pra në 2017-N, amerikani kishte pasur një takim me Kryeministrin Rama.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Sot amerikani McGonigal, në një aktakuzë të veçantë, me nëntë pika në Uashington, akuzohet se ka marrë të paktën 225,000 dollarë para në dorë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit. Pra amerikani, me forcën që i jepte pozicioni të ndërhynte që agjenti shqiptar, i cili ishte edhe shtetas amerikan, të përfitonte dhe për këtë është shpërblyer me shifrën 225 mijë dollarë.  Aktakuza pretendon se McGonigal mori tre pagesa të veçanta në para nga biznesmeni në vitin 2017, pasi të dy udhëtuan në Shqipëri, ku McGonigal u takua me kryeministrin e vendit më 9 shtator 2017, dhe i kërkoi atij "të ishte i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave të shpimit të fushës nafte në Shqipëri për kompanitë ruse të frontit".  Report Tv ka zbuluar se nga emrat e mësipërmes, ish-agjenti shqiptar, shtetas amerikan i natyralizuar dhe që jeton në Nju Xhersi, dyshohet se është pikërisht Agron Neza.

Report Tv ka zbuluar se interesi i madh i Agron Neza ishte për një koncesion shumë të madh në fushën e naftës, me lidhje indirekt me gjigandi rus i naftës GAZPROM.

Në vitin 2018 Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG. Më 31 mars Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.

Të dhënat dhe dokumentet tregojnë se Transoil Group në Shqipëri administrohej pikërisht nga Shefqet Dizdari, avokati i njohur i cili ne 2019 i ka shitur studion ligjore amerikanit Charles McGonigal dhe shqiptaro-amerikan Agron Neza. Kompania ‘Transoil Group’ ka qenë e regjistruar në Zvicër dhe më pas ka ndryshuar emrin në  ‘Terraoil Sëiss’, me administrator pikërisht avokatin Shefqet Dizdari.

Në vitin 2020 ka pasur një vendim të Gjykatës Administrative Vlorë, e cila thoshte se përzgjedhja e kompanisë zvicerane në koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë u krye nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tender.  Sipas gjykatës, Terraoil Swiss sh.a me administrator avokatin Shefqet Dizdari, në aplikimin e saj në tender nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara për kushtet teknike.

Dy akuzat për amerikanin
Amerikani McGonigal përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Në rastin e dytë, në akuzën në D.C, McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. I pari referohet në aktakuzë si Personi A (Agron Neza?), një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë. Por personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash edhe që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”. Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.” Sipas akuzës, McGonigal u takua me Personin A në gusht 2017 dhe e pyeti nëse ai mund t’i jepte atij para. Në 5 shtator 2017, ai udhëtoi në Shqipëri si qytetar privat, një udhëtim që e deklaroi në FBI, por për të cilin, dështoi të thotë se shpenzimet e udhëtimit do të paguheshin nga personi A dhe se gjatë udhëtimit, ai u takua me një të dytë, të quajtur Personi B (identiteti e te cili deri tani është i panjohur), bashkë me të cilin takoi kryeministrin Edi Rama më 9 shtator 2017.

(Kliko këtu për akuzën ndaj Charles McGonigal)

Në akuzat zyrtare të prokurorisë amerikane thuhet se në shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u prezantua nga personi A me një politikan i cili ishte njëherazi edhe biznesmen, i cili i tha të pandehurit McGonigal se donte dikë për të hetuar një atentat të dyshuar për ta vrarë atë”

Gjithashtu nënvizohet se më 10 shtator 2017, i pandehuri McGonigal ka udhëtuar me makinë nga Shqipëria për në Kosovë, së bashku me Personin A, dhe të tjerë, ku i pandehuri McGonigal u takua dhe e siguroi për ndihmë nga FBI-në një politikan kosovar. Menjëherë pas këtij udhëtimi në Kosovë, i pandehuri McGonigal dhe Personi A, kanë udhëtuar së bashkë për në Shtetet e Bashkuara.

Më 25 nëntor 2017, i pandehuri McGonigal informoi Departamentin e Drejtësisë për një hetim të ri të mundshëm penal që përfshin një shtetas amerikan i cili ishte regjistruar për të kryer punë lobimi në Shtetet e Bashkuara në emër të një partie politike shqiptare, parti e ndryshme nga ajo në të cilën ishte anëtar kryeministri. Një ditë më parë, ai kishte marrë informacion nga Personi B në lidhje me lobistin qytetar amerikan.

Kryeministri Edi Rama e ka pranuar që ka pasur lidhje miqësore me Charles McGonigal, duke e gjykuar marrëdhënie e tyre krejt të ligjshme dhe duke mos marrë asnjë përgjegjësi për ndonjë shkelje ligjore qe ish agjenti i lartë te FBI mund ta ketë kryer. 

Akuzat në drejtim të tij, Rama i konsideroi si të pabaza, duke thënë se SHBA-ja nuk do ta kursente nëse ai do ishte fajtor.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve! Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur. Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, tha Rama.

Të mërkurën, Charles McGonigal, pritet të dalë para gjykatës në Uashington për t’u shprehur nëse i pranon apo jo akuzat se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri. 

Ora 21:14
Kush është ish agjenti i FBI-së, ortaku tjetër i shqiptaro-amerikanit dhe McGonigal, nën hetim për një tjetër çështje

1674591231_finalprojekt.00133114.Still004.jpg

Ish-agjenti i FBI-së Mark Thomas Rossini është ortaku tjetër i shqiptaro-amerikanit Agron Neza dhe Charles McGonigal, i arrestuar në Nju Jork nën akuzën se ka marrë të paktën 225,000 dollarë para në dorë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit. Edhe Rossini ndodhet nën hetim, por për një çështje tjetër.

Ai ishte ortak me Nezën dhe McGonigal të quajtur ‘Law Office and Investigation’, aktualisht me aktivitet të pezulluar.

Ora 15:59
Kush është politikani biznesmen shqiptar që i kërkoi ndihmë FBI-së për të hetuar një plan për ta vrarë?

Në akuzën zyrtare të prokurorisë së Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara për ish zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal ka një moment shumë ku flitet për një politikan biznesmen shqiptar që i është ankuar agjentit amerikan se duan ta vrasin.

“Në akuzat zyrtare të prokurorisë amerikane të siguruara nga Shqiptarja.com thuhet se në shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u prezantua nga personi A me një politikan i cili ishte njëherazi edhe biznesmen, i cili i tha të pandehurit McGonigal se donte dikë për të hetuar një atentat të dyshuar për ta vrarë atë”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Shqiptarja.com.

Kush është politikani biznesmen nuk kuptohet, mbetet për tu sqaruar.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 25/01/2023 10:16

    Sado te jete Edi Rama i perlyer ne keto afera, opozites te mos i shkoje ndermend se mund te perfitoje ndonje gje! Vitin 1997, 21 janarin dhe Gerdecin ky popull nuk ia harron kurre. Keshtu qe Rama lirshem te beje ca ti doje qejfi, per inat te opozites e cila urrehet pa mase nga shqiptaret.

    Përgjigju
  • Iris: 25/01/2023 01:17

    Me ngadale z.Rama! Vete personalisht mund te mos jesh implikuar,por ama min.e energjise qe eshte pjese e adm.tuaj, ja ka dhene tenderin per fushat e naftes firmes zvicerane me administrues Sh.Dizdari nje vit pasi amerikani beri lobimin e tij ne nje takim me ju per nje nga partneret e tij ne biznes,(megjithese jo i njejti biznes).Pak si e cuditshme qe fiton pikerisht kjo firme! Nuk besoj se 8 te tjeret ne gare ishin te gjithe ruse.

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 24/01/2023 16:45

    Biznesmeni eshte Tom Doshi, ndersa personi qe donte ta vriste eshte Ilir Meta.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?