Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me arrestimin e zyrtarin e lartë të FBI-së Charles McGonigal, nën akuzën se ka shkelur sanksionet e SHBA ndaj Rusisë duke kryer transaksione financiare me oligarkë rusë.
Alibeaj ka sjellë në vëmendje takimin mes Ramës dhe McGonigal 2017-ën, duke e konsideruar si pjesë të transaksioneve të paligjshme financiare që ish zyrtari i FBI-së ka kryer me oligarkët rusë. Ai tha se duhej që menjëherë të ndërmerreshin hapa për hetim të thelluar dhe transparencë të takimit që Rama dhe McGonigal patën në vitin 2017.
“Akuzat e Departamentit Amerikan të Drejtësisë ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI McGonigal për përfshirjen në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus ku bën pjesë udhëtimi i tij në Shqipëri dhe takimi me Edi Ramën në vitin 2017 kërkojnë urgjentisht transparencë dhe hetim të thelluar. Retorika boshe për konsumin e politikës së ditës nuk e zbardh këtë çështje tepër të rëndësishme për marrdhënien e Shqipërisë me SHBA. Zbardhja sa më parë dhe transparenca e plotë është ajo që ndihmon jo vetëm për informimin e saktë të publikut por dhe për ruajtjen e marrdhënies së shëndetshme me partnerin tonë strategjik”- shkruan Alibeaj.
Ditën e djeshme, Charles McGonigal është arrestuar nga autoritetet amerikane nën akuzën se ka shkelur sanksionet e SHBA-ve ndaj Rusisë, duke u përfshirë në transaksione të paligjshme financiare me oligarkët rusë. 54 vjeçari akuzohet nëpërmjet një padie me 5 pika se punonte për manjatin rus të aluminit Oleg Deripaska, i cili ka qenë nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2018.
Ndërkohë, kujtojmë se kur u bë i ditur hetimi i ndërmarrë ndaj ish zyrtarit të FBI-së, kryeministri Edi Rama pranoi se e kishte mik, por theksoi se çështja me drejtësinë i përkiste atij në SHBA dhe se nuk kishte lidhje me qeverinë shqiptare.
Lajmi kryesor:
Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, McGonigal akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga agjenti shqiptar! Opozita akuzon: Ka lidhje me Ramën
B.V/ReportTv.al