Foto ilustruese/ Një nga të armatosurit serbë të arrestuar pas shkëmbimit të zjarrit në Banjskë

Arrestohen 5 ish-paraushtarakë serbë në Kosovë, akuzohen për krime lufte: Dyshohen se vranë dhe dogjën për së gjalli civilët shqiptarë

3 Gusht, 12:49| Përditesimi: 3 Gusht, 22:39

  • Share

KOSOVË- Pesë serbë janë arrestuar në Gjilan të Kosovës, pasi akuzohen për krime lufte në vitin 1999, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës. Ata dyshohen si autorë për vrasjen, plagosjen dhe djegien për së gjalli të shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në prill të vitit 1999.

Gjithashtu, ata akuzohen nga prokuroria për "rrëmbim, përdhunim, rrahje, troturim fizik dhe psiqik të civilëve, si dhe për plaçkitje, shkatërrim dhe djegie të pronave të shqiptarëve dhe dëbimin e tyre". Në një njoftim për media, Prokuroria tha se ata u arrestuan gjatë një aksioni të përbashkët të institucioneve të sigurisë, që u zhvillua pas një hetimi disamujor.

“Në kuadër të këtij aksioni... janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999... me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare", thuhet në njoftim.

Pretendimet e prokurorisë kosovare janë mohuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila thotë se 5 serbët e arrestuar janë njerëz “të cilët kanë jetuar paqësisht për vite, pa probleme në pragjet e dyerve të tyre”. Ajo gjithashtu e akuzoi Policinë e Kosovës për përdorimin e “dhunës” gjatë arrestimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi për këtë. Gjithashtu, derivati i qeverisë serbe akuzon kryeministrin Albin Kurti për “terrorizimin e serbëve të Kosovës”.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se ka ngritur 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë. Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Ora 22:31
Arrestimi i serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë, reagon Vuçiç: Provokim i qëllimshëm, do njoftoj BE-në

Beograd- Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiç reagoi lidhur me arrestimin e 5 serbëve në Kosovë duke paralajmëruar se do ta diskutojë këtë çështje me përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot se tw pesë shtetasit ishin arresuar nën dyshimin se kishin kryer krime lufte kundër civilëve në vitin 1999.

Gjatw njw konference pwr median, Vuçiçi u tha gazetarëve në Loznicë, Serbi, se ishte “lajm i tmerrshëm”, dhe akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurin si përgjegjës për të dhe e kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për mosreagimin.

“Ata po përpiqen të provokojnë çdo shtëpi serbe, çdo serb dhe t’ua bëjnë të qartë të gjithëve se serbët nuk duhet të jenë atje”, tha Vuçiçi

Ai kritikoi komunitetin ndërkombëtar për mosreagimin ndaj ngjarjeve të tilla: “Është një heshtje e dhimbshme e bashkësisë ndërkombëtare”.

Vuçiçi tha se nesër do të bisedojë me përfaqësuesit e BE-së dhe ShBA-së për këtë dhe se, siç tha ai, do t’i pyesë “deri kur do të bëjnë sikur nuk e shohin”.

Ndwrkohw Gjykata Themelore në Prishtinë dha 1 muaj paraburgim pwr tw arrestuarit

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?