Një 41-vjeçare e identifikuar si Silvana Balliu, është arrestuar nga policia e Tiranës pasi përfitonte para nga qytetarët duke mashtruar sikur ishte dietologe.
Ajo administronte një subjekt në zonën e Brrylit, të cilin nuk e kishte të regjistruar pranë organeve përkatëse dhe fshihte të ardhurat e fituara prej tij. Në bazë të verifikimeve të kryera ka rezultuar se 41-vjeçarja prezantohej si dietologe dhe me anë të mashtrimit përfitonte shuma të ndryshme parash, nga 150-300 euro, nga qytetarë të ndryshëm, për përgatitjen e dietave të personalizuara.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ka fshirë nga telefoni i saj, bisedat me qytetarët (klientët), me qëllim për të penguar zbulimin e së vërtetës. Balliu akuzohet për veprat penale "Mashtrimi", "Fshehja e të ardhurave", dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.