Kronikë

Arrestohet anëtari i bandës së Niklës në Tiranë, ‘mjeshtri i arratisjeve’ që alarmoi Italinë! Dyshohet se iku nga qelia e Trevisos me ndihmën e Ndranghetës

5 Shkurt, 11:41| Përditesimi: 5 Shkurt, 13:21

  • Share

TIRANË- I njohur si ‘mjeshtri i arratisjeve’, anëtari i bandës së Niklës, Edison Pula u vu në pranga në Tiranë, pas 3 arratisjeve të bujshme, 2 Shqipëri dhe në 2022 nga burgu i Trevisos në Itali. Arratisja e 30-vjeçarit shqiptar nga burgu i Trevisos bëri bujë për mënyrën e sofistikuar, pasi sharra me të cilën preu hekurat e qelisë i erdhi me dron dhe në gjithë këtë skemë, dyshohet se u ndihmua nga anëtarë të klanit mafioz Ndrangheta.

Jo vetëm në kërkim nga Italia, por Edison Pula rezulton i dënuar edhe nga autoritetet shqiptare me 14 vite burg, për 6 vepra penale "Tentativë vrasje", “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. I dënuar në mungesë rezulton edhe nga Italia me 8 vite për vjedhje. Pas arratisjes në Itali, Pula ishte fshehur në vendin tonë. 

Në qershor 2022, Pula duhej të dilte në gjykatën e Bolzanos, por në fakt ai nuk u gjet në qeli pasi bashkë me dy shqiptarë të tjerë ishte arratisur. Pula ishte pjesë e një grupi në Itali, prej pesë personash, që nga periudha janar-tetor 2020 ka kryer 47 vjedhje në provincat Bolzano, Trento, Verona dhe Belluno.

Hajduti serial i banesave në Itali, ka arritur të vjedhë qindra mijë euro, bizhuteri luksi, ora rolex, një palë dylbi Swarovski, kostum Henry Cotton, një stilolaps Montblanc etj. Ai është një nga të dyshuarit për grabitjen e biznesmenit Giancarlo Miotto në Mogliano Veneto. 

Arratisja e bujshme nga Italia

Arratisja e Pulës dhe dy shqiptarëve nga burgu i Trevisos bëri bujë në Itali, ndërsa mediat e krahasuan skenën të ngjashme me atë të filmit vizatimor “The Dalton Brothers”. Pikërisht një skenë si në filma, një sharrë i dërgohet me dron Pulës në qeli. Bashkë me dy shqiptarët presin hekurat e qelisë dhe arrijnë të largohen përmes një çarçafi që e përdorën si litar. Arratisja nuk rezultoi e suksesshme për dy shqiptarët e tjerë që u vunë në pranga, ndërsa Pula u arrestua ditën e sotme, 5 shkurt 2025 në Tiranë. Mediat Italiane shkruajnë se gjatë arratisjes në 2022, Pula ka pasur mbështetjen e klanit të famshëm mafioz Ndrangheta.

Policia e Shtetit njoftoi se në pranga ka rënë edhe një 31-vjeçar i kërkuar nga autoritetet franceze. 

"Finalizohet një tjetër operacion, në koordinim me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht. Operacioni “Together”, në pranga 1 shtetas i dënuar me 14 vjet burgim, për disa vepra penale të rënda, dhe 1 shtetas i akuzuar nga autoritetet franceze.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Shqipëri, për disa vepra penale të rënda, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve me homologët e FAST Luksemburgut, nëpërmjet koordinimit të rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Together”.

Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Edison Pula, 30 vjeç, i lindur në Krujë, i dënuar me 14 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”. Më tej, gjatë këtij operacioni, në bazë të një urdhër arresti europian, të lëshuar nga autoritetet franceze, u vu në pranga shtetasi A. S., 31 vjeç. Zyrat homologe të Interpolit po vijojnë bashkëpunimin, për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtyre shtetasve.", njofton policia. 

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Njoni: 05/02/2025 14:51

    Kaq vepra penale qe paska ky dhe esht denuar vetem 14, vjet cudi. Ky do 30 vite te rehatohet

    Përgjigju
  • WTF: 05/02/2025 11:52

    Fytyre e ndyre !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?