SPANJË- Bosi spanjoll i identifikuar si Pablo AM, pjesë e grupit të Amant Josifit që kreu mashtrime 2.4 miliardë euro me Call Centerat është arrestuar brenda avionit në Barcelonë. 33-vjeçari u vu në prangat e policisë spanjolle të mërkurën. Ai u kap në aeroportin El Prat pasi kishte fluturuar nga Rumania për në Spanjë.
I pandehuri njihej si një nga menaxherët më të lartë të platformës online të investimeve “EverFx". Ai konsiderohet si një nga bosët kryesorë të mashtrimit që falsifikon investimet në tregjet e këmbimit valutor dhe kriptomonedhave.
Kompania “EverEx”, që kishte menaxher Pablon sponsorizoi klubin e futbollit Sevilla. Sipas policisë, i arrestuari ishte përgjegjës për menaxhimin e të gjithë agjentëve që mashtronin spanjollët duke i drejtuar në platformën EverFX".
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se kontaktet me viktimat që kanë rënë pre e mashtrimeve janë bërë nëpërmjet call center-ve të vendosura në periferi të Bashkimit Europian, ku “ndërmjetësit e rremë” i kanë mashtruar me përdorimin e një sistemi kompleks të inxhinierisë sociale”.
“El Paiss” shkruan se në kohën që po zhvilloheshin hetimet, operacioni i policisë vazhdoi në Shqipëri, ku arrestuan dy persona dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë, mes tyre është dhe Amant Josifi.
Amant Josifi, biznesmeni i njohur në vend në fushën e ‘Call Center-ave’, i shpallur në kërkim për mashtrimin me “call center” është pjesë e skemës që ka shkaktuar një dëm qytetarëve prej 2.4 miliardë euro, me qindra mijëra viktima në mbarë botën
Josifi ka qenë edhe këshilltar i ministrit shqiptar të Mbrojtjes deri në vitin 2020. Ai rezulton të jetë themelues i APA-LIAISON Ltd në vitin 2012, i ndjekur nga EUROPE SERVICE GROUP Ltd, MCN SERVICES Ltd, etj.
Mega operacioni në Shqipëri, i përfshirë edhe SPAK
- Irisa Puca 31-vjeç, Adrian Korriku 29-vjeç, Bernardo Saraçaj 32-vjeç, Erind Pysqyli 31 vjeç janë 4 të arrestuarit në kuadër të operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle në Bashkëpunim me SPAK.
Ata janë ndaluar gjatë operacionit "Stuhia" dhe dy prej tyre, përkatësisht Bernardo Saraçaj dhe Erind Pasqyli do të ekstradohen drejt Spanjës, pasi do të gjykohen në këtë shtet, për mashtrim online me kriptomonedhat. Nga 15 Call Centerat e kontrolluar në disa vende të Europës, 6 ndodheshin në Shqipëri, ndërsa nga 5 të arrestuarit, 4 janë vënë në pranga në vendin tonë. Autoritetet pranojnë se Call Centerat tashmë kanë marrë përmasa të krimit të organizuar, ndërsa qarkullojnë qindra miliona euro të përfituara nga skemat e mashtrimit kompjuterik edhe me kriptomonedhat.
Një mega operacion ndërkombëtar i drejtuar nga EUROJUST dhe i shtrirë në 10 vende, përshirë edhe Shqipërinë, çoi shkatërrimin e një grupi kriminal të cilët kishin mashtruar përmes investimeve në kriptovaluta mijëra qytetarë, kryesisht në BE. Grupi kriminal ka arritur të përfitojë rreth 50 mln euro për çdo tre muaj.
Grupi kriminal i emërtuar si (OCG) dyshohet se është përfshirë në mashtrime përmes investimeve online me kriptomonedha. Grupi kriminal përdorte Call Centera dhe platforma të tjera online si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc etj, dhe mashtronte qytetarët që të investonin online përmes kriptovalutave.