Kim Keon Hee

Bota

Arrestohet gruaja e ish-Presidentit të burgosur të Koresë së Jugut

13 Gusht, 09:40| Përditesimi: 13 Gusht, 09:41

  • Share

Bashkëshortja e ish-Presidentit të burgosur të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është arrestuar nën akuza të shumta, përfshirë manipulim të tregut të aksioneve dhe marrje ryshfeti.

Ish-zonja e parë, Kim Keon Hee, i mohoi të gjitha akuzat gjatë një seance dëgjimore që zgjati katër orë në Seul ditën e martë. Megjithatë, gjykata lëshoi një urdhër paraburgimi, duke theksuar rrezikun e mundshëm që të prishë provat.

“Kërkoj ndjesë sinqerisht për shqetësimin që kam shkaktuar, ndonëse jam një person pa rëndësi,” u shpreh ajo për mediat.

Koreja e Jugut ka një histori të gjatë të ndjekjes penale dhe burgosjes së ish-presidentëve, por kjo është hera e parë që të dy, si ish-presidenti ashtu edhe bashkëshortja e tij, përfundojnë pas hekurave.

Ish-Presidenti Yoon u arrestua në janar, pasi u akuzua për përpjekje për shpallje të ligjit ushtarak vitin e kaluar, një krizë që e çoi vendin në trazira dhe përfundimisht në rrëzimin e tij nga pushteti.

Prokurorët pretendojnë se 52-vjeçarja Kim përfitoi rreth 578 mijë dollarë përmes një skeme manipulimi të çmimit të aksioneve të kompanisë Deutsch Motors, një distributor i BMW në Korenë e Jugut. Kjo skemë, sipas akuzave, nisi përpara se Yoon të zgjidhej president, por vazhdoi të hedhë hije mbi presidencën e tij.

Ajo akuzohet gjithashtu për ryshfet, pasi mori çanta Chanel dhe një gjerdan me diamant nga Kisha e Kontrovershme e Bashkimit, në këmbim të favoreve në biznes.

Ndër akuzat e tjera, Kim përballet edhe me dyshime për ndërhyrje në emërimet e kandidatëve gjatë zgjedhjeve të pjesshme parlamentare në vitin 2022 dhe zgjedhjeve të përgjithshme në vitin e kaluar.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?