Dritan Gjika

Kronikë

Arrestohet në Abu Dhabi i shumëkërkuari Dritan Gjika, kreu i mafies shqiptare të trafikut të drogës në Ekuador

26 Maj, 20:22| Përditesimi: 26 Maj, 21:43

  • Share

Dritan Gjika kreu i mafies shqiptare të trafikut të drogës në Ekuador, është arrestuar ditën e sotme në ë Abu Dhabi. 

Në një operacion të koordinuar nga Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, në bashkëpunim me homologët e saj në Abu Dabi (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe në Spanjë, dhe falë punës hetimore dhe shkëmbimit të informacionit përmes programit PAcCTO 2.0, Gjika është kapur sot me qëllim ekstradimi, ndërsa ishte subjekt i dy Njoftimeve të Kuqe të Interpolit për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale.

47-vjeçari Dritan Gjika, kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit. Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave narkotike në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).

Struktura kriminale që ai drejtonte përfshinte një nivel drejtues, logjistikë dhe bashkëpunëtorë që punonin në realizimin e këtyre veprave penale, me ndihmën e kompanive të ligjshme që përdornin për pastrimin e parave dhe fshehjen e veprimtarive tregtare e financiare, ndërsa akuzohen se pastruan mbi 43 mln dollarë të mafias shqiptare të kokainës. 

'Pjesë e strukturës kriminale ishin edhe punonjës të porteve detare, të cilët vepronin si informatorë dhe ndihmonin kriminelët të maskonin dhe të ndotin kontejnerët me lëndët e paligjshme, duke përdorur metodën e ashtuquajtur “grepi i verbër”. Më 6 shkurt 2024, Dritan Gjika u identifikua nga Prokuroria e Përgjithshme e Ekuadorit si drejtues i operacioneve të mafias shqiptare në këtë vend, pas një bastisjeje në një banesë në një lagje rezidenciale të Guayaquil-it', thuhet në deklaratën e Policisë së Ekuadorit. 

Organizata e trafikut të drogës e drejtuar nga Dritan Gjika u godit më 6 shkurt 2024. Kjo organizatë ishte e ngarkuar për dërgimin e tonëve kokainë të prodhuar në Valle del Cauca, në jugperëndim të Kolumbisë,  dhe e kamufluar në kontejnerë me eksporte frutash nga Ekuadori, kryesisht banane. Sipas këtij modaliteti, organizata kriminale do të ishte përgjegjëse për të paktën njëmbëdhjetë dërgesa kokaine nga porti i Guayaquil, më i madhi në Ekuador, drejt vendeve evropiane si Belgjika, Holanda dhe Spanja, shkruajnë mediat e huaja.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?