Është arrestuar në Dubai, Elson Reçi, shpallur në kërkim nga SPAK për atentatin me tritol ndaj Preng Gjini, në vitin 2020. Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Në maj të këtij viti, në kuadër të megaoperacionit 'Metamorfoza 3', SPAK, goditi 7 grupe kriminale, njëri prej të cilëve drejtohej nga Elson Reçi në Rrëshen.
Policia bën me dije se arrestimi i tij është kryer falë bashkëpunimit me autoritetet e Emirateve të Bashkuara, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
'Elson Reçi ishte person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 15.05.2024, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprat penale "vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, vepra këto të kryera në formë të veçantë të bashkëpunimi, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe "pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal". Nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se Elson Reçi ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Preng Gjinit.'- njofton policia.
SPAK zbardhi edhe atentati i vitit 2020 në Tiranë ku u hodh në erë makina me të cilën udhëtonte Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur rëndë në atë kohë. Në dosje thuhet se personi që kreu atentatin është nipi i Kastriot Reçit, Elson Reçi.
Në njoftimin e SPAK theksohet se personi i cili informonte Reçin për të gjitha lëvizjet e Gjinit ishte Klodian Shahini, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Lezhës. Sipas SPAK Edison Reçi drejtonte një grup kriminal në Rrëshen.
Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë. Atentati që atëherë u dyshua se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve mes fiseve Reçi e Gjini, por në deklaratën e bërë nga vetë Gjini më vonë e mohoi.
Elson Reçi, është nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper nga një tarracë pallati në janar të 2020.