TIRANË- Janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Tiranë ditën e sotme, Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit dhe Armis Stafa.
Dashnor Dumanit, GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Ndërkohë, 36- vjeçari Armis Stafa i arrestuar më 17 maj, është një prej anëtarëve të grupit kriminal të Çopjave të Elbasanit.
'U finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Dashnor Dumani, 40 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se: ٠në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.;
٠në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;
-Armes Stafa, 36 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale. 2 shtetasit u kapën nga policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit', njoftoi policia.
Dashnor Dumani është i dënuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, por SPAK e akuzon edhe për vepra të rënda penale, vrasje dhe vjedhje me armë. Dumani dyshohet se ka qenë në grupin e vrasësve në masakrën e 29 dhjetorit 2018 pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit në Elbasan, ku u eliminua Endrit Alibej, vëllai i të penduarit tjetër të drejtësisë, Erion Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay.
Në rrëfimet e tij tronditëse në sallën e gjyqit në GJKKO në procesin “Plumbi i Artë”, Erion Alibej deklaroi pak ditë më parë se nga hetimet që ka kryer në mënyrë private për masakrën, zbuloi se në mesin e atentatorëve ishte vëllai i Nuredin Dumanit. Me këtë të fundit Erion Alibej nisi një bashkëpunim për vrasjen e Talo Çelës dhe sipas tij i ishte betuar për Kuranin se i falte gjakun e të vëllait, pavarësisht se Nuredin Dumani kur i tregoi emrat e vrasësve të Endrit Alibejt, nuk i përmendi vëllain Dashnor Dumani. 40-vjeçari po ashtu dyshohet se ka qenë pjesë e grupit për grabitjen e 9 prillit 2019 brenda pistës së aeroportit të Rinasit, ngjarje në të cilën u vra Admir Murataj, dhe në muajt në vazhdim çoi në krisje të grupit për shkak të ndarjes së parave, duke prodhuar një valë vrasjesh të tjera.
I ekstraduari tjetër, Armes Stafa, është pjesë e grupit të vëllezërve Çopja të Elbasanit, Franc dhe Hajdar Çopja. Përmes shitblerjes së makinave dyshohet se roli i tij në grup ka qenë për pastrimin e parave që rridhnin nga veprimtaria kriminale, kryesisht ajo e trafikut të drogës. Për të Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg” në mungesë gjatë vitit të kaluar.
Dashnor Dumani
Komente

Keto te fortit o ne burg ose ne vorr i gjen. Shume te forte per bes
PërgjigjuNe Dubai vetem prostituta, influencer - hajdute instagrams, dhe drogmene gjen ! Dhe thone qe jane vend Arab Muslim !
Përgjigju