Autoritetet turke kanë arrestuar të dielën Zeljko Bojaniç, një anëtar i grupit kriminal serb “Kavaç”. Ai u arrestua në lagjen Sarıyer të Stambollit. I kërkuar nga Interpoli me një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe i implikuar në kontrabandën e drogës, Bojaniç u akuzua gjithashtu për vrasjen e serbit Risto Mijanoviç.
Efektivët e policisë gërmuan oborrin e vilës ku qëndronte i fshehur Bojaniç, me dyshimin se aty mund të gjendej i varrosur trupi i Mijanoviçit. Vetë Mijanoviç ishte një anëtar i klanit kriminal “Skaljar”, rivali i klanin tjetër mafioz serb “Kavaç” të Bojaniç që nga viti 2014. Po ashtu, Klani “Kavaç” u akuzua për vrasjen e bosit të "Skaljarit" Jovan Vukotiç në Stamboll në muajin shtator.
Mediat turke raportojnë se Bojaniç, i cili njihet me pseudonimin "Boris", ishte ndër 45 kriminelët më të kërkuar të Evropës dhe hyri në Turqi me një pasaportë false që mbante emrin "Andelew Belche Jordan".
Mediat kanë raportuar se anëtarët e një bande turke, kreu i së cilës po mbahet në Itali, janë paguar rreth 1 milion euro për vrasjen e Vukotiçit. Vukotiç, i kërkuar nga Serbia, u kap në Turqi tre vjet më parë dhe u ekstradua në Serbi, ku u lirua pas një gjyqi. Ai me sa duket u kthye në Turqi me një kartë identiteti flasë. Rreth 50 persona janë vrarë në përplasjet e dy klaneve që nga viti 2014.