Arrestohet një kosovar në Serbi për "krime lufte"

1 Qershor, 22:16| Përditesimi: 1 Qershor, 22:22

  • Share

Autoritetet serbe njoftuan të shtunën (1 qershor) se kanë arrestuar një kosovar në pikën kufitare që lidh Serbinë me Kosovën, nën dyshimin për “krime lufte”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë (MPB), Ivica Daçiq, tha se Tefik Mustafa u arrestua në Merdarë për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në një komunikatë për media, MPB-ja serbe theksoi se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë - Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, tha Daçiq.

Më vonë, në një postim në Facebook lidhur me këtë rast, sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se Serbisë “me gjasë po i duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi”, duke iu referuar zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 2 qershor në Beograd.

Duke e përmendur rastin “Panda”, ai tha se policët për të cilët Serbia thotë që janë zhdukur, “është shumë më e mundshme të jenë zhdukur, apo të jenë gjallë në Serbi, sesa të ketë ndodhur diçka e tillë në territorin e Republikës se Kosovës”.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 - akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës. /REL

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?