E bllokuar prej më shumë se dy javë rruga Theth-Qafë Thorë është zhbllokuar nga dëbora. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar video nga borëpastruese që zhbllokojnë aksin Bogë-Theth, në ndihmë të së cilës ka ardhur edhe ARRSH.
Zhbllokimi i rrugës u bë e ditur edhe nga drejtori i ARRSH, Ergys Verdho në një intervistë për Report Tv, ku tha se është bërë pastrimi i aksit rrugor ku trashësia e dëborës vijonte nga 40 cm deri në 2 metra e gjysmë në Qafë Thorë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë një pasqyrë të gjendjes në vend që po shkon drejt qetësimit dhe tërheqjes së ujit nga zonat e përmbytura.
“Në Shkodër kemi qetësim të situatës dhe rënie të nivelit të ujit, megjithatë trupat e batalionit të Vaut të Dejës janë në terren dhe po ndihmojnë banorët e Obotit.Vjosa gjithashtu po normalizohet pasi kemi rënie të ndjeshme në Përmet dhe Memaliaj”, shprehet ministri Peleshi.
Forcat e Armatosura po ashtu janë angazhuar edhe për hapjen e aksit të bllokuar Theth-Bogë në Shkodër. “Si rrallëherë ka nisur puna që në janar për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth në Shkodër.
Po e hapin efektivët e Komandës Mbështetëse në bashkëpunim me ARRSH, të cilët janë maksimalisht të përkushtuar për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve”, shkruan Peleshi