Kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia priti në një takim ekipin e vajzave të Vllaznisë, së bashku me stafin drejtues, që shënuan historinë në futbollin shqiptar, pasi arritën të kualifikohen mes 16 ekipeve më të mira të Europës në kompeticionin e Champions League. Tashmë ato kanë mësuar edhe kundërshtarët, ku në 20 tetor presin në Shkodër ekipin e Real Madrid.
Duke i përgëzuar për këtë arritje, por edhe punën e palodhur që kanë bërë në gjithë këto vite, pasi sukseset kanë qënë të njëpasnjëshme, kryebashkiaku Spahia premtoi se do të jetë përherë mbështetës i tyre dhe sportit në tërësi.
“E kam konsideruar të rëndësishme mbështetjen e sportit megjithë mundësitë e pakta që ka bashkia jonë. Është një investim i rëndësishëm, kam kënaqësinë t’iu them inisiativën e re që bashkia ka për një fushë të re sportive në Postribë, afër Shkodrës. Një fushë me përmasa reale ndërkombëtare me standarte”, tha Spahia mes të tjerash.
Spahia zgjodhi këtë moment të takimit me vajzat dhe drejtuesit e ekipit kuqeblu, që në cilësinë e kryetarit të bashkisë, të ndajë edhe një lajm të shumëpritur për sportin. Një fushë e re me bar natyral e standarteve ndërkombëtare pritet të jetë gati për pak muaj në Shkodër.