“Vora këtë vit ka marrë emër, emër të madh,”-nis rrëfimin një prej tifozëve të Vorës.
Për herë të parë në histori, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, Vora do të luajë në Superligë. Ekipi i drejtuar nga Arjan Bellai siguroi ngjitjen në elitë duke fituar kampionatin e Kategorisë së Parë. Ky sukses ka sjellë përjetime të pazakonta te tifozët, të cilët nuk janë mësuar ta shohin ekipin në këto nivele.
“Është kënaqësi e veçantë, e veçantë. Si për moshën e vjetër që e kanë parë Vorën ndër vite, si dhe për djemtë e rinj. Madje na bën përshtypje, se në stadium është ngrupim ultras, të cilët janë bukuria e stadiumit,”-u shpreh një tifoz.
“Unë e ndjek Vorën që fëmijë, që i vogël. Jam një tifoz i çmendur i Vorës. Është një emocion i asjhtëzakonshëm që ta shohim në Superligë Vorën. Kemi patur që vjetër ëndërr për t’u ngjitur në Superligë, por këtë vit ia dolëm,”-tha një tjetër tifoz.
Nga kategoritë e ulta në elitë. Ndryshimin e tifozëve të Vorës më së shumti e ka vënë re pronari i një biznesi, i cili pret çdo ditë ultrasit në ambientin e tij.
“Është një ndryshim si nata me ditën. Ndryshim shumë i mirë. Ka çdo natë festë. Nis te stadiumi dhe më pas vijnë te lokali,”-tha një tjetër tifoz.
Për herë të parë, pas këtij suksesi historik, tifozët e Vorës nuk kanë më arsye të mbështetin ekipe të tjera në Shqipëri.
“Unë gjithë kohës kam qenë me Partizanin. Partizani ka vendin e vet, por kur të përballet me Vorën unë detyrimisht jam me Vorën sepse është ekipi im. Unë jam lind dhe rritur në Vorë,”-tha një tifoz.
“Ishte diçka që e kisha imagjinuar që më në fund të shoh Vorën të luajë me Partizanin dhe Tiranën. Unë jam tifoz i Partizanit gjithashtu, por zemra rreh më shumë te Vora. Uroj të ecim akoma më shumë dhe vitin tjetër të ngremë një kupë edhe më të rëndësishme,”-deklaroi një tjetër tifoz.
Në të shumtat e rasteve ekipet që ngjiten në Superligë sezonin e ardhshëm janë po ato ekipe që rrezikojnë të kthehen andej nga kanë ardhur.
“Është vështirë të zbresë Vora nga Superiorja. Nuk shkon Vora në Superiore për të luajtur një vit edhe për të ardhur prap në Kategorinë e Parë. Vora shko për të qëndruar. Madje mund të bëjë edhe surprizë se edhe ekipet e tjera nuk kanë më shumë se Vora,”-u shpreh një tifoz.
“Vora nuk do të jetë kalimtare, por do ta shohim sërish në Superligë dhe unë them se do të jetë ekip surprizë,”-tha tifozi.
Komente
