Foto ilustruese

Arritjet, problemet dhe sugjerimet lidhur me procesin e Fiskalizimit

13 Dhjetor 2022, 18:38| Përditesimi: 13 Dhjetor 2022, 18:43

  • Share

Taksat janë çfarë paguajmë për një shoqëri të qytetëruar (Holms 1932)

Viti 2019 shënoi nisjen e një prej proceseve më të rëndësishme në manaxhimin dhe administrimin e sistemit fiskal sa i takon mënyrës së faturimit, e jo vetëm, procesit të njohur me gjuhën jozyrtare të tij,“Fiskalizimit”. Edhe pse 2019 ishte, po ashtu, viti kur tërmeti dhe pandemia prekën rrënjësisht një vend të brishtë si i yni në drejtim të infrastrukturës administruese të tij në nivele të ndryshme qeverisëse. Ngjarjet e mësipërme ndikuan në mënyrë përmbajtësore edhe në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Pasi u duk se po bëhej kalimi në një periudhë relaksuese në vitin 2022, lufta në Ukrainë, ndikoi sërisht negativisht në pritshmëritë ekonomike botërore dhe vendore duke i dhënë një riorientim vëmendjes së qeverisë në disa prej sektorëve nevralgjikë të ekonomisë sonë, si energjitika dhe siguria.

Por, çfarë po ndodh me procesin e nisur tashmë, të Fiskalizimit?

Në këtë moment të zhvillimit të procesit të Fiskalizimit është e nevojshme të ndalemi në një analizë modeste mbi arritjet e këtij procesi dhe problemet qe ende e shoqërojne atë. Disa sugjerime ndjekin në fund këtë qasje.

Nevoja e marrjes së akteve ligjore dhe nënligjore për procesin e Fiskalizimit mund të lexohet në detajet e dokumentacionit që mund të aksesohet lehtësisht në faqen e Kuvendit Shqiptar në projektiligjin  “PËR FATURËN DHE SISTEMIN E MONITORIMIT TË QARKULLIMIT. Në relacionin e dosjes së projektligjit reflektohen arsyet e hartimit të tij.  Arsyet madhore lidhen me mirë-administrimin tatimor të sistemit të faturimit, uljes së evazionit tatimor dhe uljes së arbitraritetit të administratës sa i takon kontrolleve në terren, duke qenë se këto kontrolle do të zbatoheshin teknikisht në hapësirat e “zyrave virtuale”.

Në mënyrë eksplicite në Relacion shkruhet se: “Reforma e fiskalizimit është një angazhim madhor i qeverisë, në përpjekjen e saj për të minimizuar ekonominë informale, nëpërmjet modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave. Ky projektligj synon: - Minimizimin (uljen) e nivelit të ekonomisë informale; - Përmirësimin e mbledhjeve të të ardhurave; - Identifikimin më lehtë të evazionit; - Bërjen e auditimit të taksave më cost-eficent; - Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë; - Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin; - Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.”

Më poshtë po paraqesim komentet e marra në rrugë formale dhe informale lidhur me hapësirat e mundshme të realizimit/arritjeve të perceptuara nga subjektet, profesionistët dhe akademikët. Githashtu edhe vështirësitë e evidentuara dhe të parashikuara për çdo synim të paraqitur më lartë, duke u bazuar në metodologjine e vrojtimit të disa bizneseve të vogla, të mesme e të medha dhe nga komunikimet e shpeshta me administratën tatimore nëpërmjet rrugëve operative (e-mail).        

Nr

Synimi

Komente mbi arritjet

Komente mbi problemet

(raste teknike janë të shumta, por janë filtruar kryesoret)

1

Minimizimin (uljen) e nivelit të ekonomisë informale

 

Sistemi informatik i bërjes së faturës, lidhja e tij në kohë reale me databazën e tatimeve dhe deklarimi i librave të Blerjes/Shitjes në mënyrë automatike zbulon me lehtë faturat e padeklaruara nga subjekti pritës i mallit/shërbimit.

Sistemi i Fiskalizimit nuk detyron vullnetin e subjektit për të prerë fatura lidhur me shërbimet apo mallrat e shitura në mënyrë informale. Po ashtu, problem mbetet edhe mungesa e një sistemi unik për kodifikimin e mallrave (subjekt dërgues-marrës), i cili pamundëson kontrollin real të magazinave. Gjithashtu, mungesa e sinkronizimit me sistemin europian të faturave e vonon procesin e uljes së informalitetit.

Gjobat, jo në proporcion me dëmet e shkaktuara, të propozuara në Paketën Fiskale 2023 mund të sjellin hapa pas në drejtim të uljes së evazionit.

2

Përmirësimin e mbledhjeve të të ardhurave

Evidentimi në kohë reale i shitjeve i jep mundësi administratës tatimore të përcaktojë më mirë të ardhurat për efekt të klasifikimeve të subjekteve lidhur me përgjegjësinë tatimore të tatim fitimit, apo TVSH-së etj.

Njëlloj, si në pikën 1, duke qenë se  është në vullnet të subjektit të deklarojë të ardhurat e tij. Sistemi nuk e kapërcen në mënyrë substanciale këtë sjellje të mundshme shmangieje.

3

Identifikimin më lehtë të evazionit;

Njëlloj me pikën 1 dhe 2.

Njëlloj me pikën 1 dhe 2.

4

Bërjen e auditimit të taksave më cost-eficent

Lehtëson punën e inspektorit tatimor lidhur me shpejtësinë dhe saktësinë e marrjes së informacionit, direkt nga sistemi fiskal i kompjuterizuar. Shmang gabimet njerëzore në masë të lartë dhe ul kohën e auditimeve, duke i dhënë përgjigje të shpejtë subjektit lidhur me verifikimet përkatëse sipas ligjit për Procedurat Tatimore.

Ende nuk ka nje sinkronizim në masën të plotë të faturave që shfaqen ne sistemin Selfcare dhe atyre që shfaqen në softwarin privat të subjektit, referuar problemeve teknike. Por, më e rëndësishmja, faturat e importeve dhe faturat me para në dorë shfaqen vetëm në Selfcare. Duke theksuar edhe se, deklaratat e importit nuk pasqyrohen në kohën e duhur nga administrata tatimore, ndonjëherë duke sjellë edhe mosshfaqjen e tyre në Selfcare brenda afatit 72 orë të përcaktuar në legjislacion.

Mund të sjellë konfuzion tek subjekti rasti i faturave të papranuara, por as edhe të refuzuara. Në këtë rast, i mbetet barra e provës subjektit, i cili për ndonjë problem teknik, apo për neglizhencë të pavullnetshme në evidentimin e një  fature blerjeje do të duhet të konsumojë kohë lidhur me faturën e pranuar në mënyrë të ‘detyruar’ nga sistemi.

Problem mbetet edhe mënyra e pagesa e faturave tatimore, të cilat tashmë nuk mund të bëhen në vlerë totale, por një më një për çdo faturë me nr serial identifikues të faturës. Veprim që rrit kostot bankare të subjektit dhe kohën në dispozicion për shlyerjen e detyrimeve.

Ka një mospërputhje me ligjin e ri mes konceptit kontabël të faturimit të shërbimit/mallit në varësi të kohës lëvrimit të tij, me atë tatimor që detyron që fatura të lëshohet në bazë të mënyrës së pagesës. Etj.

5

Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë;

Kontrolli nga zyra mund të ulë kontaktin fizik me subjektin duke sjellë përmirësim të raportit të besimit subjekt-administratë.

Por, Paketa e re Fiskale 2023 mund të sjellë hapa pas në këtë drejtim, duke shtuar Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren e organizuar në nivel qendror dhe rajonal, e duke nxitur sërish korrupsionin në terren. Ndërsa       e-maili i lënë qëllimisht për ndihmë lidhur me çështje të Fiskalizimit nuk kthen përgjigje prej muajsh!

6

Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin

Fiskalizimi i procesit të faturimit të Enteve Publike mund të sjellë rritje të eficensës së shërbimit ndaj qytetarit, ulje të nivelit të mashtrimit pasi ul mundësinë e  modifikimit të faturës duke lënë gjurmë të evidentueshme nga sistemet informatike në çdo hap përkatës.

Qendërzimi i procesit të faturimit mund ta bëjë sistemin informatik  me vulnerabël ndaj sulmeve kibernetike, ndaj duhet pasur kujdes që sistemi përfundimtar të ketë mundësoi kontrolli në hallka të ndryshme dhe siguri sa i takon rrjedhjeve të informacionit kredencial dhe të ndjeshëm.

7

Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

 

Ligji sjell me afër Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian në drejtim të standardeve te reja teknike dhe transparencës së procesit fiskal, duke ulur abuzivizmin e administratës tatimore dhe duke shtuar sigurinë juridike të subjekteve tatimore. Gjithashtu, mund të lehtësojë edhe procedurat që lidhen me Taksimin e Dyfishtë.

Mungesa e një protokolli të qartë se si do të bëhet përputhja me sistemin tatimor europian, në drejtim të njohjes së faturave fiskale në mënyrë të dyanshme në vitet e ardhshme.

 

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar ka analizuar Paketën Fiskale të vitit 2023, duke theksuar ndikimin që ajo mund të ketë në procesin e Fiskalizimit. Hapat pas lidhur me Drejtorinë e Verifikimit në Terren, apo gjobat e rritura jo në proporcion me dëmin e shkaktuar, mund të sjellin një ndrydhje të vullnetit të bizneseve për t’ju përshtatur procesit të Fiskalizimit. Gjithashtu, atmosfera e vagullt e projektligjit për Amnistinë Fiskale mund të shoqërohet me paqëndrueshmëri në rritje të kontrollit dhe vëmendjes së administratës ndaj evazionit tatimor.

Ndaj, lind nevoja që procesi i Fiskalizimit, të mirëmendohet në çdo hap të mëtejshëm, por edhe të harmonizohet me të gjitha ndryshimet e paketës Fiskale dhe legjislacionit tatimor të projektuar për t’u ndryshuar në vazhdim si; Procedurat Tatimore dhe Tatimi mbi të Ardhurat. Moszgjatja në kohë e Fiskalizimit do të ishte dëshira e çdo subjekti, i cili ka 3(tre) vite që pret qartësimin e situatës dhe fillimin e efekteve të plota ligjore, por problemet teknike dhe mangësitë në harmonizimin e legjislacionit tatimor tregojnë se ende nuk jemi gati në pranimin e një depërtimi kapilar të teknologjisë në biznes. Kostot përkatëse shoqëruese dhe dijet e kapitalit njerëzor nuk janë të mjaftueshme të përballojnë një depërtim të thellë teknik në ekonomi.

Nëse do të ishim në fillim të procesit, do të sugjerohej që faza e testimit nga profesionistët e fushës të ishte kryer para sesa ligji të hynte në fuqi, në mënyrë që besimi dhe durimi i subjekteve tatimore të mos cënohej. Megjithatë, jemi në fazën e implementimit praktik, i cili ende nuk po gjeneron gjoba.

Sugjerohet dëgjimi dhe adresimi real e serioz i analizave shkencore të akademikëve, profesionistëve dhe nevojave të biznesit. Ndërveprimi i aktorëve të ndryshëm, në të gjitha fazat e projektit mund të çojë në një relaksim dhe pranim të arsyeshëm të situatës përkatëse për të vazhduar në mënyrë të sigurtë e të qartë në hapat e mëtejshëm.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?