Erion Veliaj

Opinion

Arsen Rusta: Lal u kry!

18 Shtator, 14:29| Përditesimi: 18 Shtator, 14:32

  • Share

Këtë frazë Erion Veliaj do ta dëgjojë nga ekrani i televizorit në qelinë e IEVP Durrës, ose nga ata me të cilët bashkëjeton prej shkurtit 2025 si i paraburgosur. Të shkarkuan, Erion. Por për fat do ta dëgjojë, pasi p.sh. Adem Jashari s’e dëgjoi kurrë që Kosova u çlirua, apo fjalët drejtuar atij “Bac, u kry”, pas vdekjes. Këto fjalë sot janë më tepër se një gur themeli për njerëz që dhanë jetën për liri.

Kthyer tani te Lali.
Ndoshta pas pak ditësh, më 23, 24 ose 25 – ç’rëndësi ka – shtator 2025, atë do ta shkarkojë këshilli bashkiak. Kështu vendosi dje, ende pa një dokument zyrtar, mbledhja e mbajtur në PS në të cilën Veliaj përfaqëson Tiranën.

Po, po, ai Këshill, shumicën e të cilëve ai i promovoi, i futi në listë dhe i integroi në parti, e votuan thuajse çdo propozim të Erionit, edhe kur Erioni e ka pasur propozim të gabuar apo antiligjor. Ata anëtarë që s’po them ishin të betuarit e Lalit, por ishin idhëtarët e kryebashkiakut.

Çfarë u ndryshoi atyre mendim?
Përse këta këshilltarë refuzuan t’i jepnin një përgjigje legjitime kërkesës së drejtë të këshilltarëve demokratë në maj të këtij viti?

Ja kësaj kërkese, firmosur edhe nga doktor Alimehmeti.

Por këshilli, me apo pa arrogancë, e la jashtë rendit, e la pa përgjigje, fiks sikur e dinin që një ditë do t’ju duhej për të “shporrur” Veliajn.
Gjithsesi është thjesht një akt formal. Veliaj s’e drejton më bashkinë që ditën kur firmosi si pasuese të tij Anuela Ristanin.

Nënkryetaren e cila as deputetin më të votuar në Tiranë, Erion Braçen, s’e përfill. Mbase Anuela ka të drejtë, por shqetësimet që ngre Braçe në Facebook janë pikërisht hallet e banorëve që s’i dëgjon kush.

Erion Veliaj është mik i imi, e as kam arsye ta fsheh apo të ndjej ndroje pse ai sot është i burgosur. Një mik prej atyre që na ka njohur Tirana dhe raportet i ruajtëm pa interesa.
Erion Veliaj do të jetë mik edhe kur të dalë nga qelia, qoftë me pafajësinë që ai pretendon, apo me dënimin që do t’i japë gjykata nëse do të bindet nga provat e SPAK-ut (deri atëherë do të duhen së paku 12-60 muaj).

Krejt logjike që Veliaj s’mund të qeverisë nga burgu. Por si zgjidhet?

E ka zgjidhur Gjykata Kushtetuese: kur dikush mungon pa arsye, flaket. Ama kur dikujt i privohet ushtrimi i mandatit me arsye, si në rastin e z. Berisha që mbahej brenda katër mureve, normalisht s’mund t’i hiqej mandati që kishte marrë me votë. Sepse vota s’është post, por është detyrë.

Si do e bëjnë këshilltarët socialistë këtë? Me argumentin mungesë mbi 3 muaj, do të shkelin ligjin, sepse ai ka mbi 7 muaj që mungon. Por edhe 7 apo 70 muaj, është Gjykata Kushtetuese që e ka zgjidhur këtë praktikë. Pra, nuk bëhet.Por ja një zhvillim tjetër: nëse më 2 tetor Gjykata e Lartë i ndryshon masën Veliajt. Si do bëjnë që ta shkarkojnë më parë?

Që e fiton në Kushtetuese është e fituar, se ka një kazuz-precedent. Po përse idhëtarët e Lalit duhet të votojnë një shkarkim antiligjor?

Nëse do ta votojnë, atëherë jo vetëm faktojnë katërcipërisht që PD ka pasur të drejtë, por i kanë hyrë në hak edhe këshilltarëve të djathtë. Teksa ka ende pak ditë, zgjidhja për të mos shkelur Kushtetutën është: Manastirliu pasuese e Veliajt. Po. Le ta meritojë, por caktojeni nënkryetare e le ta drejtojë qytetin.

Mungesa e efikasitetit të nënkryetarëve të emëruar edhe të pazgjedhur nuk është faji i Lalit apo cilido lider. Fundja, pushteti nuk është post, është kostum: o të bën, o nuk arnohet; ndryshe të rri ose ngushtë, ose gjerë./WebLajm

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?