Arsyet pse fermerët janë në krizë, Rrapaj: Paketa fiskale ka probleme! Pilku: Rënie drastike e fondeve! Në Greqi protestë me traktorë para Parlamentit

21 Shkurt, 16:16| Përditesimi: 21 Shkurt, 16:28

  • Share

Tirane- Fermerët po përballen me vështirësi ndërsa shumë produkte të tyre bujqësore dhe blegtorale mbeten pa shitur.  Ndonëse janë ngritur në protestë kërkesat e tyre kanë ndeshur me heshtjen e institucioneve.

I ftuar në studion e emisionit “Përballje” në Report TV kreu i AgroTurizmit, Agim Rrapaj u shpreh se kriza e fermerëve nuk është një situatë e papritur. Ai renditi disa elemente që kanë lindur problemet me fermerët, por sipas tij shkaku kryesor fillon me buxhetin e pamjaftueshëm në dispozicion të ministrisë së Bujqësisë.

“Nuk është një situatë e papritur. Është një situatë që pritej. Të gjitha rrjedhin nga një shkak kryesor, që është lidhur ngushtësisht me buxhetin e shpenzimeve që qeveria vë në dispozicion për ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Këtu lindin të gjitha problemet e tjera që sot fermerët të realizojnë prodhimet në eficiencën që i kërkohet. Buxheti i vitit të kaluar për shpenzimet e ministrisë së Bujqësisë është më i madh nga buxheti i këtij viti. Kemi një ulje të buxhetit.

Elementi i dytë që duhet ndryshuar është skema kombëtare. Skema kombëtare e mbështetjes nuk është në përputhje me kërkesat minimale të fermerëve, nuk është në përputhje me atë çka homologët e fermerëve përreth marrin përmes subvencioneve. Element tjetër ka të bëjë me paketën fiskale. Paketa fiskale e vendit është një paketë fiskale që ka një problem shumë të madh. Dhe problemi kryesor qëndron tek mos rimbursimi i TVSH-së për pikat e grumbullimit që blejnë produkte nga fermerët”, thotë Rrapaj.

Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku në lidhje Skype u shpreh se fondi i buxhetit të shtetit për subvencionim të fermerëve është në rënie drastike krahasuar me vitet e mëparshme.

“Kemi një ulje drastike të injektimit të kapitaleve në bujqësi. Kapitale, të cilat lidhen në forma të ndryshme, grante dhe kryesisht janë ato grante që vijnë nga BE dha tashmë janë të bllokuara. Nuk dihet se kur do të hapen. Me çfarë ne shikojmë nga buxheti i ministrisë së Bujqësisë, tregon që nuk do të kemi grante të IPARD-it. Së dyti është fondi shumë i ulët i buxhetit të shtetit për skemat kombëtare. Të cilat janë në rënie drastike nëse krahasohen me dy vite përpara. Së treti kemi një mospërshtatje ose një moskoordinim me sistemin bankar që janë atashuar bankave të nivelit të dytë,” u shpreh Pilku.

Ndërsa gazetari Edmond Guri paraqiti dhe një situatë të fermerëve në Greqi të cilët orët e fundit kanë “pushtuar” Athinën me traktorë pas rënies së subvencioneve që i mbështesin.

“Ajo çka është shqetësuese në Greqi është rritja e çmimeve. Konkretisht 1 litër vaj ulliri, që një fermer e shet me 3.5 litri, në raftet e supermarketeve i njëjti vaj shitet për 12.5 euro apo dhe më tepër. E njëjta gjë ndodh me qumështin apo produkte të tjera bujqësore. Nga ana tjetër, nuk ka politika siç ka pasur të rimbursimit, qoftë paketave nga ana e Greqisë apo Bashkimit Europian, ku një bujk europian ka minimumi 4000 euro dhe maksimumi 10000 euro subvencion në vit. Ndërsa një bujk grek arrin minimumi maksimumi 300 400 euro subvencion. Kjo ka bërë që ata të reagonin dhe të zbrisnin me mjetet e tyre deri në qendër të Athinës”, tha Guri.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?