Krijimtaria e dhjetra piktorëve të Ballkanit dhe Europës erdhi e përmbledhur në një ekspozitë me 30 punime në pikturë në Galerinë e Artit në Pogradec nën emrin “Art Colony '22".
Frymëzuar nga peisazhi i qytetit liqenor e jo vetëm, kolonia e piktorëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë por dhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut qëndruan për 2 javë në qytetin e Pogradecit, duke shprehur në telajo estetikën e tyrë të artit pamor. Figurativja dhe abstraktja por edhe elementë të ekspresionizmit apo kubistik i gjejmë në ekspozitë.
“Ky gërshetim, kjo shprehje, kjo kulturë, ky art sjell një imazh pak më të veçantë në edicionin tonë të këtij viti. Është një ekspozitë e larmishme ku gjejmë elementë ekspresionistë por edhe kubistikë”, tha Piktori nga Kosova Hajrush Fazlliu.
Për organizatorin Saimir Ahmeti ekspozita të tilla janë një pikë referimi në zhvillimin e artit pamor.
“Është një ekspozitë që sjell vlera, është një ekspozitë që sjell shkolla të ndryshme, koncepte të ndryshme dhe teknika të ndryshme. Prandaj patjetër që është një pasuri për qytetin por edhe për artin shqiptar”, tha Saimir Ahmeti.
E pandarë nga piktura prej 20 vitesh vullkan dhe emocion ndienjash, Ismane Mehdi vjen me punën e saj nga Maqedonia e Veriut.
“Kam trajtuar një temë që e trajtoj prej vitesh. Mund të shihni është një vullkan dhe emocion ndjenjash, emocion koloristik. Secila ngjyrë karakterizon gjendjen emocionale të njerëzve", tha Ismane Mehdi.
Art Colony organizohet prej disa vitesh në qytetin e Pogradecit, i cili me peisazhet që ofron po bëhet kryeqëndër i piktorëve nga vende të ndryshme botës.