Pas përgjigjes së Akademisë së Shkencave, akademiku Fuga ka reaguar sërish. Ai shprehet se nëse faktet Kryesia e Akademisë të Shkencave i quan të dhëna të rreme, në fakt janë e drejta e tij t’i kundërshtojë. Fuga thotë se nuk është një, por dy deputetë të cilët po iniciojnë ndryshimin ligjor për rizgjedhjen e kryetarit disa herë, pra për t’i dhënë një mandat të dytë. Për këtë qëndrim, Fuga thotë se posedon fakte dhe do i botojë.
Reagimi i plotë:
Kryesia e Akademisë të Shkencave paska reaguar sot me një deklaratë publike shumë konfuze për një teskt akademikësh ku pak a shumë shprehet se unë, pra Artan Fuga paskam thënë të pavërteta kur jam shprehur se ka përpjekje deputetësh, dy më saktë, që po iniciojnë një ndryshim ligjor që krijojnë kushte që kryetari etj. të rizgjidhen përsëri në vijimësi për një mandat të dytë duke ndryshuar ligjin në fuqi.
Unë do të botoj deklarata publike të deputetit që ka qenë i angazhuar në këtë pikë. Pa merak.
Nesër do të keni edhe shkresat zyrtare që më vërtetojnë mua matematikisht, pra si një edhe një që bëjnë dy, jo tre!
Nëse faktet Kryesia e Akademisë të Shkencave i quan të dhëna të rreme, fyerje, etj., unë nuk di si mund të shërbej për ta korrektuar këtë epistemologji.
Me vjen keq që Kryesia e Akademisë humbet kohën kot sepse asnjë ofendim nuk kam bërë për asnjë deputet në deklaratën publike që shpreh projektin tim të mundësisë për të kandiduar.
Dhe sa më shumë nga të tilla reagime lincuese, me të cilat jam mësuar, aq më shumë rritet vendosmëria për të kandiduar! I falenderoj që nuk ma heqin këtë të drejtë.
Pse shqetësohen? Sigurisht që kundërshtimi im si qytetar dhe akademik kundër këtij ndryshimi ligjor është e drejta ime që nuk e heq dot as Zoti jo më kryesia e Akademisë së Shkencave, megjithë konsideratat e mia të larta për të!
Por si fillim pyes : a gënjen Artan Fuga apo media dhe shkresat për faktin e relatuar?
Publiku mund ta shohë! Lutem të ruhet edukata dhe etika e ligjërimit!
Faleminderit!
Lajmi kryesor:
Akademia e Shkencave përgënjeshtron Fugën: Deklarata të pavërteta, nëse s’do ishte ndryshuar ligji s’do kandidoje dot
G.MO/ReportTv.al