24 tablo, shumica në vaj a të tjera në teknikë mikse, jetësojnë në tri dhoma krijimtarinë më të fundit të artistit Artan Peqini në galerinë “Fab”. Në qendër, kujtimet ku Nëna vjen përmes bisedash, a të fundit datëlindje të saj. E më tej autori udhëton “Përtej kohës” me të tjerë personazhe të dashur e situata të jetuara a të rrëfyera prej tyre.
“Menduam që koha në këtë rast të funksionojë si një moment i jetësuar. Si një personazh, skenografi, ku thërrasim nga memoria të gjitha figurat e dashura, figurat e rëndësishme që secili nga ne ka në jetën e përditshme. Në këtë sens kjo kohë pa kohë, kjo kohë pa ikje pa atë ankthin e konsumimit na krijoi këtë lloj mundësie nga pikëpamja metaforike. Na krijoi mundësinë që të takonim personazhe të ndryshme që kanë jetuar në kohë të ndryshme që kanë pasur mesazhe dhe misione të ndryshme, të takohen në këtë sekuencë kohe dhe të shkëmbejnë të bisedojnë mes tyre”, thotë Peqini, artist e Dekan i Fakultetit të Arteve.
Portrete të mbuluara, drita që dominon e zbeh ngjyrat, koha e mbajtur pezull, e bëjnë vizitorin të mbërthejë shikimin tek ky pështjellim ndjenjash e narrativa që artistit i shpërfaq përmes penelit në periudhë pandemie.
“Kohët e fundit kam pasur mundësi që nga studioja ime të jem në kontakt me natyrën. Dhe nisur edhe nga rrethanat e që po jetojmë, të gjithë jemi bërë më të vëmendshëm, më vëzhgues ndaj asaj që ndodh përreth. Kur kemi të gjithë komoditetin që lëvizim me shpejtësi jemi pak të vëmendshëm ndaj gjërave. Duhen ngjarje të rëndësishme që të kuptojmë se substanca, lënda, gjërat e rëndësishme janë përreth nganjëherë është mungesa e vëmendjes sonë për t’i bërë ato të rëndësishme. Në këtë rast ka funksionuar kjo! Nisur edhe nga një koncept teorik që edhe postmoderniteti i jep shumë rëndësi minimales, temave të vogla, temave interesante, atyre temave që ti konkretisht i prek edhe pastaj me fuqinë e interpretimit që ka çdo krijues i bën dhe të rëndësishme. Unë mendoj që është një moment i rëndësishëm që edhe lexohet në ekspozitë”, shprehet Peqini.
Të pikturuarit siç thotë, i jep një lloj lirie absolute që mungon tek skulptura monumentale, ku artisti duhet të ballafaqohet edhe me pritshmëritë a oponencën e publikut.
“Vepra e artit publik e ka këtë, që piktori shprehet nga pikëpamja stilistike, por duhen marrë parasysh edhe pritshmëritë e njerëzve”, rrëfen më tej.
Në rastin e skulpturës së Pjetër Bogdani të përuruar së fundmi pas një pune 4-vjeçare, Peqini nuk i ka përjashtuar këto shenja a konvencione të ngulitura me kohën, e megjithatë ka hulumtuar për një kohë të gjatë literaturën si dhe vetë zonën e Hasit nga ai vinte, e ku do të jetë i jetësuar në lartësinë mbi 5 m të shtatores bashkë me piedestalin, në Krumë...
“Për Pjetër Bogdanin është shkruar shumë, është treguar shumë, por ka jetuar në një epokë ku imazhi i tij është hipotetik, pra përmes grafikave etj. Qëmtimi im i ka mëshuar edhe kërkimit në territorin ku ka jetuar personazhi, e ku mund të gjesh personazhe që mund të ngjajnë me të. Në njëfarë mënyre duket si studim antropologjik, ti studion karakterin e zonës dhe mund ta shfrytëzosh pastaj për personazhin tënd. Një metodikë që e kanë përdorur shumë studiues në mungesë të materialeve. Atje, kjo figurë monumentale përshtatet me sheshin, i jep në lloj identiteti të ri”, tha ai.
Do të jetë kjo përmendore edhe si një lloj prehje, për pararendësin e Rilindjes Kombëtare, shkrimtarin e atdhetarin Pjetër Bogdani që vuri gurëthemelet në shkrimin e letërsisë shqipe.