Artan Shkreli rrëfen fortifikimet nga antikiteti i vonë dhe mesjeta në Shqipëri

25 Mars 2021, 10:49| Përditesimi: 25 Mars 2021, 11:29

  • Share

TIRANË- Fortifikimet e Antikitetit të vonë dhe Mesjetës në Shqipëri. Qytete, kala, fortesa edhe kështjella vijnë përmes botimit më të fundit të Berk në një libër. Arkitekti Artan Shkreli rrëfen rëndësinë e studimit të profesor Gjerak Karaiskajt, që vjen për herë të parë në shqip pas dhjetë vitesh i botuar në gjermanisht.  Shkreli na tregon kushtet historike që kanë mundësuar lindjen e qytetërimeve edhe kështjellave,  funksionet e këtyre fortifikimeve. Struktura edhe elementët ndërtimor, rolet që kanë luajtur në rrethimet e Shkodrës, Durrësit edhe Krujës, deri tek përshtatje e tyre për turizëm kulturor në ditët e sotme, duke ruajtur vlerat monumentale.

“Shqipëria bën pjesë në një rajon gjeografik, ku zhvillimi i qytetërimeve ka qenë që në krye të herës. Pjesa më e madhe e globit ku ne jetojmë është zbuluar shumë vonë, ndërsa pjesa që kanë lind qytetërimet, Shqipëria ka bërë pjesë në atë pellg, që për fat edhe të pozicionit gjeografik edhe të njerëzve që kanë jetuar në këtë territor, kanë pas veprimtari ndërtimore që me agun e krijimit të qytetërimit. Ne kemi gjurmë të qytetërimeve që 100 mijë vjet para erës sonë, në Zarë të Sarandës, edhe pastaj pa asnjë boshllëk historik deri në ditët tona. Ndërkohë, duke ndjekur në mënyrë koherente zhvillimet e botës, të perandorive, që kanë zëvendësuar njëra pas tjetrës, dhe ku territori shqiptar në një moment të caktuar ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e këtyre perandorive”, shprehet Shkreli ndër të tjera, duke theksuar se fortifikimet janë shprehje e drejtpërdrejtë e sistemeve politike.

“Ajo që në trashëgojmë nga  e kaluara gjatë këtyre shekujve janë shtresëzime të qytetërimeve të ndryshme, klasik, bizantin, osman, europian, për të ardh deri në qytetërimin e ditëve tona, euro atlantik... Libri i Gjerakut rrok një periudhë që nga antikiteti i vonë, kur bie perandoria romake, deri në përfundimin e Mesjetës, që ndryshe nga vendet e europës perëndimorë zgjat më shumë, këtu përfshihen edhe fortifikimet e Ali Pashë Tepelenës”.

Sa u përket rrethimeve në Durrës, Shkodër edhe tre herë në Krujë, Shkreli shpjegon edhe si kanë ndikuar fortifikimet në to. 

“Rrethimet janë rrethime epopale. Rrethimi i Durrësit u bë në kohën kur për herë të parë, që nga koha e lindjes perëndimi sulmon lindjen. Kruja u rrethua nga vet Sulltani që ka pas perandoria Osmane, Mehmeti II edhe nuk u mor dot. Këtu nuk flitet vetëm për aftësinë mbrojtëse të Skënderbeut që mbronin qytetin e Krujës. Këtu mund të themi se i pari që është regjistrua nga arma moderne është Ballaban Pasha. Ai tregon se sistemi i fortifikimit të Krujës, ishin kulla që duhet që t’u rezistonin gjyleve të rënda. Në Shkodër kemi të bëjmë me artileri moderne, kjo është edhe një nga motivet që nuk u mbrojt dot. Lavdia e asaj mbrojtje nuk i dedikohet fortifikimit, por kurajës që patën luftëtarët. Ndërsa, në kështjellën e Rodonit vihen re parimet më të fundit të zbuluara në Itali”, vijon Shkreli.  

Ndërsa, Shkreli shpjegon edhe se si mund të jenë sot funksionale këto kështjella, pa i tjetërsuar plotësisht.

“Rrjetëzimi më i mirë i një objekti pas mirëmbajtjes është kur përdoret në funksionin në të cilën është ndërtuar. Por është vështirë që të përdorësh një kështjellë për mbrojtje sot, Sot kryesisht janë ripërdor me funksione restoranteve, si bar apo lokal. Sa kohë përdoret një për bar, është gjë e mirë, por sa kohë i kthejmë të gjitha kështu është një problem i madh. Pasi duhet të jenë edhe muzeale, duke pas elementë interveprimi, mundësi virtuale për të parë gjëra që mund të shihen vetëm gjëra të caktuara”, thotë Shkreli.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?