Varri monumental i Strikçanit

Opinion

Artan Shkreli: Varri i Strikçanit, monument madhështor, por i bastisur më parë nga gërmuesit klandestinë

9 Shtator, 20:38| Përditesimi: 9 Shtator, 20:50

  • Share

Pas çdo zbulimi zyrtar në arkeologji, shtrohet pyetja nëse siti është i padhunuar apo i grabitur paraprakisht…

Kjo u shtrua edhe në zbulimin e Strikçanit, Bulqizë: nëse varri, ishte i dhunuar, pra i grabitur? Dhe nga kush, e kur?

E ndërkaq nga praktika dimë se sapo arkeologët zbulojnë dicka, kërkuesit e thesareve janë potencial i menjëhershëm për gërmime kriminale (ka ndodhur më parë me varrin e Jorgucatit në Gjirokastër).

Kësisoj, në kushtet e kontrollit të dobët të teritorit, dilema e arkeologëve nëse duhet të gërmojnë me nge’ (sezon pas sezoni) apo të shpejtojnë gërmimet tej standardeve e protokolleve është e madhe.

Çka dimë aktualisht në rastin e monumentit funerar të Strikçanit është se “zbulimi”, përsa i rëndësishëm paraqitet, u bë vetëm pasi varri ish bastisur më parë nga gërmuesit klandestinë; të cilët, nga sa rezulton, kanë përdorur mjete të rënda për të zhvendosur masat plateale të gurit për t’u futur brenda. Askush nuk e di sot se çfarë inventari artefaktesh të antikitetit iliro-romak është grabitur në atë varr madhështor…

Afërmendsh fenomeni nuk është vetëm shqiptar, ndonëse dimensionet e grabitjeve të antikave në vendin tonë nuk janë statistikuar ndonjëherë, por fakti se thuajse asnjëherë nuk kemi gjetje spektakolare të shpie në idenë se sitet arkeologjike “pastrohen” ilegalisht përpara se mbi to të bjerë kazma e arkeologut.

Tjetërkund nga halli sigurisht kanë dalë në pah edhe figura si Georgi Kitov, një nga personalitetet më kontradiktore në arkeologjinë bullgare sot, i cili nga revista “National Geographic” u quajt gjysmë hero - gjysmë kriminel. Arsyeja për këtë ishte metoda e tij e gërmimit të shpejtë të tumave të lashta trake duke përdorur edhe makineri.

E vërteta është se për dekada të tëra, ndërsa përpiqej të hynte në varret e mbretërve trakë, ende të pa-plaçkitura, Kitovi (në shërbim të shtetit) ka konkurruar me mafian e gjuetarëve të thesareve, të cilët kanë në dispozicion pajisjet më moderne. Dhe jo rrallë ai ia ka dalë mbanë duke bërë zbulime të bujshme. Gjithsesi, në vitin 2001, autoritetet bullgare ia patën revokuar për një vit lejen e gërmimit me dyshimin se ai kish gërmuar pa protokollet përkatëse…

(Kitovi për mua hero vdiq nga një atak në zemër ndërsa gërmonte një tempull në Bullgarinë qendrore, tempull që konsiderohet një nga zbulimet e tij më të mëdha).

Për tu kthyer te ne, nga sa duket, ajo që do të mbetet në Bulqizë, do të jetë një monument funerar madhështor, por bosh; spektakolar në imazh, por pa fjalë, e pa një histori të personalizuar për të treguar.

Ndofta një Kitov shqiptar, jo shumë ortodoks, por i mirëfinancuar, që do kish përdorur të njëjtat mjete të rënda (që del se kanë përdorur “tombaiolët” e Strikçanit), me efektet përkatëse anësore, do mund të kish hedhur bazat, përmes një inventari të paçmuar, për një muze unikal./Marrë nga profili i autorit në Facebook

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?