Arti i koreografisë popullore në Mirditë! Vallja e Gurrës së Lashtë

5 Janar 2020, 12:51| Përditesimi: 5 Janar 2020, 12:59

  • Share

Shkurtimisht rreth temes

Vallja e Gurrës së Lashtë është një motiv i qëmotshëm i valles popullore, i ruajtur brez pas brezi, që buron nga gojëdhenat e popullit mirditor që prej viteve 1600 pas Krishtit, sipas dëshmisë nga një intervistë e gjatë me të moshuarin domgjonas Prend Pacin. Ky motiv erdhi në ditët tona rreth viteve 1986-1987 dhe u prezantua për herë të parë në Festivalin Folklorik Kombëtar në vitin 1988. Që nga viti 1968 zhvillohej në Shqipëri çdo pesë vjet Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Në vitin 1985, pas diplomimit në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, kam filluar aktivitetin tim artistik në Pallatin e Kulturës Rrëshen, si koreografe e rrethit Mirditë në periudhen 1985-1990 dhe jam marr sidomos me hulumtimin e vlerave të kërcimit popullor mirditor.

Koreografia e nje vallje ështe art kompleks, mbasi per pak minuta qe luhet ne skene, kerkon një numer të madh njerezish, duke filluar nga grupi burimor i valles, te grupi i realizimit perfundimtar i saj, orkestra me instrumentistet, drejtues muzike, koreograf, skenograf, etnolog, rekuizite etj. Merita e realizimit të kesaj vepre koreografike i perket të gjithe mases së njerezve, ku çdo pjesëmarrës nga kjo mase njerëzish e njeh vepren nga kendveshtrimi dhe perjetimi personal. Ndersa pergjegjësinë kryesore për realizimin e saj e kisha unë si koreografe.

Etapat e procesit të gjurmimit dhe realizimit të këtij motivi

Ndër shekuj kishte mbetur ky motiv vallje në kujtesën e brezave dhe erdhi deri në ditet tona falë punës që bëmë për ta risjellë në skenë. Dega e Koreografisë ne Akademinë e Arteve zhvillonte asokohe ekspedita të ndryshme folklorike në zona të ndryshme të Shqipërise nga Veriu ne Jug. Këtë përvojë e vazhdova dhe mbas fillimit të punës. Mbas emrimit tim ne Mirdite, kam rënë fatmiresisht në gjurmet e këtij motivi, të cilin do ta përshkruaj në vijim. Gjatë një ekspedite folklorike në Fan, ekipi i ekspeditës kërkimore; unë, poeti Gjok Beci dhe etnografi piktor Lin Loci shkuam në Domgjon, ku unë u takova rastësisht me te moshuarin nga Domgjoni, Prend Pacin.

Kush është Prend Paci?

Prendi ka lindur në Domgjon në vitin 1903. Ishte njeri që kishte përvojë të madhe jetësore, shkollën e jetës dhe zgjuarsi natyrore.

Sapo mbërritëm në fshatin Domgjon, pamë një të moshuar që po rrinte qetësisht nën hijen e një peme. Ndjeva se ishte momenti më i përshtatshëm për të biseduar me të. U ndava nga dy kolegët që shkuan në Shtëpinë e Kulturës ne qender te fshatit dhe e përshendeta të moshuarin, duke e pyetur, nese mund te kuvendoja me te. Plot miresi dhe entuziazem ai pranoi. U ula përtokë përballe tij dhe biseda nisi fillimisht me temat e përditshmërisë nga jeta në Fan, jeta e tij familjare, periudha e pleqërisë, pastaj kaluam te kujtimet e pervojave të ndryshme të jetës që nga fëmijëria. Në atë bisedë e përqëndrova vëmendjen te festat dhe motivet e tyre. Duke mos nderprerë biseden, e pyesja here mbas here shkurtimisht: Ke pasë lidhje të ngushtë me gjyshin tënd? Po stergjysh a ke pase njohur? Ç’tregonin te moshuarit ne femijerine tende mbi festat e athershme? I bëra një sërë pyetjesh te njepasnjeshme gjate gjithe bisedes të cilat e çuan kujtesën e tij në detaje të hollësishme dhe në bisedë e sipër më tregoi se në fëmijerinë e tij kishte degjuar nga të vjetrit mbi një festë që lidhej me burimin e ujit që shterohej asokohe herë mbas here. Nga nevoja për ujë, njerëzit e asaj kohe menduan si ta ruanin burimin që të mos shterrej. Një ditë mblodhën gjithë banorët dhe biseduan që secili të sillte një sasi lesh delje dhe shporta me (voe) vezë. Leshin e deleve e përzien me vezët. Me këte masë përzierje ndërtuan një mur rreth burimit të ujit dhe, duke e shtypur fort me këmbë, ngjeshnin murin rreth gurres. Ky lloj veprimi u kthye në ritualin e festës se ujit.

Gjate rrefimit, i moshuari demostroi lehte me gjuhen e trupit levizjet që bëheshin me këtë rast. Sipas këtij rituali kendohej e kërcehej rreth gurres. Pyetjes se çfare instrumentash muzikore perdoreshin, Prendi i dha këtë përgjigje: Me britma lajmdhënëse dhe triumfale, ku ritmi shoqërohej dhe me gurë, kumbonë bagëtish, me poça, tepsia, me një fjalë me gjithçka njerezit mund të prodhonin tinguj dhe të krijonin ritmin e valles. E diskutova temen e kësaj vallje të lashtë me Gjok Becin, Lin Locin dhe Mark Pacin, drejtor i shtepise se Kultures Fanë dhe i sugjeruam Markut që ta sillte si motiv valleje nga grupi burimor i Fanit per konkurimin në mes grupeve artistike të zonave te Mirdites ne Pallatin e Kultures Rreshen.

Merita e amatoreve te asaj kohe: Gjergj Shytit, Fran Laska e Fran Pershqefa, si dhe grupit të valltareve te shtepise se kultures Fan është se e sollen në konkurim këtë motiv që koreografja e rrethit Angjelina Lekaj e transformoi ne nje koreografi të plotë per Festivalin Folklorik Kombëtar, me të gjithe parametrat e plotë, sa u gjykua nga specialistët në Tiranë si e përshtatëshme për t’u paraqitur nga grupi folklorik i Mirditës në Festivalin Folklorik Kombetar të vitit 1988.

Demostrimi i ndërtimit te burimit të Gurres nga valltarët e mbledhur krah për krah me thirrje majë krahu, veshur me veshjet trimijëvjeçare të pirustëve mirditorë, që në brez kishin qemerin e kuq dhe veshje prej shijaku/leshi të dizajnuara nga kostumologu dhe piktori i Pallatit te Kultures Lin Loci. Muzika u realizua me instrumentet tradicionale si poça, kusi, luge, gure, çifteli, fyej, kumbone bagetishe…etj, nën drejtimin e Mark Gjokës, drejtues Muzike i Pallatit te Kultures në Rrëshen.

Rekuizita: instrumentet tradicionale, buliera, lesh delesh etj u sollën nga Mark Paci drejtor i Shtepise se Kultures Fan. Valltarët demostronin ndërtimin e murit rreth burimit, duke e shtypur atë fort me këmbë dhe e shoqeronin me gurgullimat e ujit dhe thirrjet lajmdhënëse triumfale…

Në fund vinte festimi i ndertimit të Gurrës, kercyer prej të gjithë valltarëve se bashku, vajza dhe djem me buliera uji…ne struktura të ndryshme koreografike; në rreth, krahperkrah, në dyshe dhe treshe…

Procesi i realizimit të valles

Ky motiv valleje fillimisht interpretohet nga valltarët e shtëpisë së Kulturës Fan, drejtuar nga Gjergj Shyti. Ky grup burimor e solli vallen në procesin e përzgjedhjes së artit folklorik simbas procedures së Festivalit, në Pallatin e Kulturës Rrëshen. Pas aprovimit nga ana ime si koreografe e rrethit të Mirdites, ftuam të jepte mendimin specialisti njohësi ndërkombëtar i etnokoreografisë folklorike shqiptare Prof. Dr. Ramazan Bogdanin. Prof. Dr. Bogdani ishte etnomuzikolog dhe etnokoreolog në Institutin e Folklori e vlerësoi këtë valle si një jehonë lashtësie.

Vallja e Gurrës së Lashtë u interpretua në Festival nga valltari i moshuar nga Fani Gjergj Shyti dhe të rinjte Hil Gjaci,Terezina dhe Vera Buraku, si dhe nga vallëtarët e Pallatit të Kulturës Mirditë: Gjergj Lleshaj, Gjon Karagjozi, Fran Gjergji, Sul Cara, Ndre Toma…etj. Në Festival kjo valle u vlerësua si kryeveper koreografike e Festivalit.

*Angjelina Lekaj, Master e Arteve të Bukura, Koreografe, Pedagoge, Drejtuese Projektesh, Mentore, Konsultuese në SGfB dhe Terapiste Arti.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?