Mozaiku i Myftar Cubit është pritur me interes nga artdashësit shkodranë. Ekspozita e artistit nga Tirana por me origjinë nga Malësia e Madhe është çelur në galerinë e arteve në Shkodër, me 50 punime realizuar me gurë zalli. Artisti shumë i emocionuar ka folur pikërisht për këtë zhanër të rrallë.
“Dashuria për Artin ka lindur bashkë me mua dhe mozaikun unë e kam brenda shpirtit shumë herët qysh në vitin e parë të shkollës së mesme, në Liceun Artistik, kur kam bërë praktikën artistike, me realizime punimesh me kashtë. E dyta e kam zhvilluar pastaj pas mbarimit të Akademisë së Arteve, në pikturën monumentale, ku është mozaiku, afresku etj. Ky lloj mozaiku ka qenë gjetje për mua dhe nuk besoj se do t’i ndahem sa të kem frymë. E kam dashuruar dhe besoj se jam i vetëm në këtë zhanër”, tha artisti Cubi.
Janë kryesisht portrete të figurave të kombit, por edhe portrete të njerëzve të thjeshtë, që siç thotë ai kanë ardhur spontanisht në krijimtarinë e tij. Ai ka ditur më së miri të skaliste dhe portretin e femrës.
“Unë e vlerësoj, figurën e femrës dhe mendoj se ia kam arritur qëllimit. Kur kam menduar se do hap një ekspozitë në Shkodër, e kam patur detyrim moral pasi qytetar nderi në Malësinë e Madhe dhe në Shkodër. E gjithë ekspozita është një miks, duke përfshirë portrete e figurave kombëtare. Jam munduar që t’i përmbahem seriozitetit që ka çdo lloj figure” shprehet Myftar Cubi.
Bashkëshortja, njëherësh menaxherja e tij, Vjollca Cubi flet për ekspozitat e shumta që kanë hapur jashtë vendit.
“Menaxhimi i veprave të artit ka qenë diçka shumë e bukur për mua. Për një arsye, Unë kam hapur ekspozita dhe menaxhuar ato në shumë shtete të botës, në Londër, Paris, Vjenë, Mal i zi Kosovë, në Maqedoni. Në Shqipëri ka hapur 2-3 ekspozita në 5 vjeçar . Por të menaxhosh art është sa e bukur aq edhe e vështirë. Të ndjesh krenari kur menaxhon art është vlerë”, tha bashkëshortja, Vjollca Cubi .
Artisti i shquar i mozaikëve, Myftar Cubi është qytetar nderi i Shkodrës dhe i Malësisë së Madhe, ndërsa në galeri gjenden disa mozaikë që promovojnë vlerat e zakonet e këtyre trevave.